Google ADS

Kosova dhe Hungaria të gatshme për rritjen e bashkëpunimit në bujqësi

19:12 | 27 Prill 2022
L G

Kosova dhe Hungaria do të intensifikojnë bashkëpunimin institucional, me qëllim që këtë ta zyrtarizojnë përmes një memorandum të bashkëpunimit në fushën e bujqësisë, pylltarisë dhe zhvillimit rural.

Kjo është konfirmuar gjatë një takimi që ka mbajtur sot Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci me Ambasadorin e Hungarisë në Prishtinë, Jozsef Bencze, si dhe Zëvendës Sekretarin e Ministrisë së Bujqësisë të këtij shteti, Dávid Bencsik.

Ky takim është realizuar me rastin e shënimit të “Ditës Hungareze të Bujqësisë” në Prishtinë, nën organizimin e Ambasadës së Hungarisë, shkruan arbresh.info.

Me këtë rast, Ministri Faton Peci i ka njoftuar ata edhe për potencialin bujqësor të Kosovës, si dhe ka bashkëbiseduar rreth mundësive konkrete të bashkëpunimit në këtë fushë.

“Pata kënaqësinë që të zhvilloj një takim me Zëvendës Sekretarin e Ministrisë së Bujqësisë së Hungarisë, Dávid Bencsik, me të cilin bashkëbiseduam rreth mundësive konkrete të bashkëpunimit institucional, si dhe këto mundësi t’i zyrtarizojmë përmes një memorandum të bashkëpunimit në fushën e bujqësisë, pylltarisë dhe zhvillimit rural”, theksoi Ministri Peci.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e shtetit hungarez kanë shprehur gatishmërinë e shtetit të tyre për iniciuar bashkëpunime të reja në mes të dyja shteteve në sektorin e bujqësisë, si dhe të kenë komunikime në të ardhmen në mes të institucioneve të dyja vendeve në mënyrë që të konkretizohen fushat e bashkëpunimit.

Ndryshe, në këtë organizim prodhues nga Hungaria kanë prezantuar prodhimet e tyre bujqësore, me ç’rast biznese nga ky vend dhe ato nga Kosova kanë realizuar takime me qëllim të bashkëpunimit të ndërsjelltë, duke hapur kështu shtigje të reja për investime./arbresh.info/

Të ngjashme