Mediat gjermane i kanë kushtuar vëmendje planeve të Danimarkës për të zhvendosur refugjatët që mbahen në burgim para dëbimit në Kosovë. Kritikët shohin në këto plane një minim të rregulloreve të azilit në BE.
Janë disa media gjermane që i kanë kushtuar vëmendje planeve të Danimarkës për të dërguar në Kosovë refugjatët që mbahen në burgim para dëbimit. Planet e qeverisë daneze kanë ndezuar debat të madh edhe në Danimarkë. Gazeta “Süddeutsche Zeitung” në një artikull të saj thekson se Danimarka planifikon të dërgojë në Kosovë një pjesë të refugjatëve të burgosurve para dëbimit për të ulur presionin në burgjet daneze.
Sipas ministrit danez të Drejtësisë, Nick Haekkerop ky vend do të marrë në përdorim 300 qeli burgu për të burgosur para dëbimit. Nga Kosova ka pasur një konfirmim, sipas radios daneze, DR. Sipas gazetës gjermane planet janë të tilla: Danimarka do të marrë me qira për 10 vjet qelitë, kurse Kosova do të marrë si shpërblim 210 milionë euro nga Danimarka.
“Rregulla daneze”
Nga Danimarka theksohet, se në burgun në Kosovë do të vlejnë “rregulla daneze”. Ministri i Drejtësisë, Haekkerup ka siguruar se “duhet ta përfytyroni, si në një burg danez, por në vend tjetër”, citon Süddeutsche Zeitung.
Por planet e Danimarkës që ka negociuar në fshehtësi për një 1 vit me Kosovën, sipas “Süddeutsche Zeitung” kritikohen ashpër nga aktivistët për të drejtat e njeriut. Shkak janë kushtet e këqija në burgjet e Kosovës, ku “Komiteti kundër Torturës i Këshillit të Europës, CPT në vitin 2020 dokumentoi akuza për korrupsion dhe keqtrajtim. Ata pyesin, se si shteti në Danimarkë do t’u garantojë të afërmve sipas ligjit danez një vizitë në javë. ‘Organizon shërbimi i burgjeve pastaj fluturime në Kosovë që fëmijët të shohin prindërit e tyre?’ ka pyetur kreu i Borns Vilkär, Shoqatës për Mbrojtjen e Fëmijëve Rasmus Kjedhal’”, shkruan Süddeutsche Zeitung. Kurse sipas radios gjermane, “Deutschland Funk” planifikohet që Danimarka të marrë përsipër një burg me 326 vende në Gjilan, shkruan DW.
Përkeqësim për burgjet kosovare?
Edhe gazeta gjermanishtfolëse zvicerane, “Neue Zürcher Zeitung” i kushton vëmendje akomodimit të refugjatëve të burgosur nga Danimarka në Kosovë. Planet e qeverisë daneze janë bërë të ditura në kuadër të një pakete reformash për lehtësimin e burgjeve daneze. Sipas NZZ, ndryshe nga marrëveshja me Uashingtonin për pranimin e refugjatëve afganë në Prishtinë e Shqipëri, që ishte gjest humanitar, marrëveshja me Danimarkën është biznes. “Kosova mund t’i përdorë mirë të ardhurat që lidhen me këtë, sidomos në kohët e pandemisë”, shkruan NZZ. Por ka zëra të vëzhguesve politikë në Kosovë, që thonë, se Prishtina me gjasë ka marrë edhe mbështetjen e Kopenhagës për liberalizimin e vizave, sipas NZZ.
Shqetësim mbetet edhe se çfarë efekti do të ketë një marrëveshje e tillë në burgjet e vetë Kosovës. “Driat Cerabregu nga Qendra e Kosovës për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës përmend, se në Gjilan aktualisht ndodhen 200 të burgosur. Zhvendosja e tyre në burgje të tjera do të çojë pashmangshëm në një mbingarkesë dhe përkeqësim të kushteve të burgimit”, shkruan NZZ.
Por me sa duket marrëveshja është gati. Ajo u nënshkrua të hënën në prani të ministrit Haekkerup në Prishtinë.
PSG triumfon nga Monaco në një ndeshje me shumë gola
Ulni faturat e energjisë me një truk që ruan nxehtësinë në s...
Aksident zingjiror në Prishtinë
Arrestohet një i mitur i dyshuar për veprën penale “Vjedhje ...
Tre shenjat më kreative të zodiakut që kanë gjithmonë ide të...
Natyraliteti i femrave bëhet ‘mollë’ sherri i një debati të ...