Kosova dhe BE-ja nënshkruajnë marrëveshjen për programin e parë financiar vjetor IPA III, vendi do të përfitojë 63.96 milionë euro

10:32 | 13 Shtator 2022
E.H

Kosova dhe Bashkimi Evropian nënshkruan sot marrëveshjen e parë financiare vjetore në kuadër të Instrumentit për Asistencën e Para-Aderimit III (IPA III) me vlerë 63.96 milionë euro.

Pas nënshkrimit dhe hyrjes në fuqi të Marrëveshjes Kornizë Financiare të Partneritetit ndërmjet BE-së dhe Kosovës, ky ishte një nga hapat e fundit zyrtar që mundëson disbursimin gradual të ndihmës financiare të BE-së për Kosovën sipas marrëveshjes kornizë të partneritetit IPA III që mbulon periudhën 2021-2027.

Kuvendi i Kosovës gjithashtu duhet ta ratifikoj marrëveshjen.

Përmes 14 programeve të njëpasnjëshme financiare vjetore nga viti 2007 deri në vitin 2020, në kuadër të IPA I dhe IPA II, BE-ja deri më tani i ka ofruar Kosovës 1.21 miliardë euro ndihmë financiare.

“63.96 milionë euro fillestare nga IPA III, do të përdoren për të rritur konkurrencën e sektorit agro-ushqimor të Kosovës dhe për të ndihmuar në arritjen e kritereve ekonomike të anëtarësimit në BE. Financimi më tej do të drejtohet drejt përmirësimit të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe avancimit të barazisë gjinore, si dhe përmirësimit të ofrimit të shërbimeve komunale dhe sigurisë publike në Kosovë”, tha ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

“Përveç kësaj, financimi i BE-së do të përdoret gjithashtu për të përmirësuar mbrojtjen e mjedisit në Kosovë, në përputhje me praktikat më të mira të BE-së, dhe për të forcuar kapacitetet e administratës së Kosovës për t’iu përmbajtur standardeve të BE-së”, shtoi Szunyog.

Financimi vjetor IPA III do të kombinohet me 16 milionë euro shtesë nga Qeveria e Kosovës dhe financim nga partnerët tjerë në shumën prej 3.8 milionë euro.

“Sot do të fillojmë të përfitojmë konkretisht nga ndihma që BE-ja i ofron Kosovës përmes fondeve IPA III. Marrëveshja e financimit për programin vjetor IPA 2021 është marrëveshja e parë për projektet në kuadër të fondeve IPA III dhe ne kemi besim se do të përdorim në maksimum të gjithë potencialin tonë për të përfituar nga IPA III, për të promovuar reformat dhe për të arritur standardet e nevojshme për të sjellë Kosovën më afër BE-së”, tha zëvendëskryeministri i parë për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi.

BE-ja mbetet partneri më i madh tregtar i Kosovës dhe ofruesi më i madh i ndihmës financiare./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme