Zyrtarët nga Kosova dhe Bashkimi Evropian u takuan në një takim digjital më 17 qershor 2021 për t’i diskutuar zhvillimet gjatë vitit të kaluar në fushat e tregtisë, industrisë, doganës dhe tatimeve. Diskutimet u zhvilluan në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit (MSA-së), e cila ka hyrë në fuqi në prill të vitit 2016. Gjatë takimit, zyrtarët shkëmbyen mendime për fusha të ndryshme, duke përfshirë tregtinë, industrinë, doganën, taksat dhe lëvizjen e lirë të mallrave. Në të gjitha fushat, Bashkimi Evropian dhe Kosova u pajtuan për rëndësinë e zbatimit të prioriteteve përkatëse të Programit të Reformës Ekonomike dhe rekomandimeve nga Raporti i Komisionit për Kosovën i vitit 2020.
Në fushën e tregtisë, palët e diskutuan deficitin tregtar dhe hartimin e politikës tregtare. Shifrat e tregtisë bilaterale me BE-në janë përmirësuar, pavarësisht situatës së vështirë sociale, ekonomike dhe tregtare të shkaktuar nga pandemia. U mirëprit përkushtimi i Kosovës për Tregun e Përbashkët Rajonal (TPR-në). Komisioni e inkurajoi zbatimin e vazhdueshëm dhe forcimin e CEFTA-s, duke përfshirë lehtësimin e tregtisë, tregtinë e shërbimeve dhe zgjidhjen e kontesteve. Sa i përket klimës për investime, u inkurajua përafrimi i mëtejmë me rregulloret dhe praktikat më të mira të BE-së. Në këtë aspekt, u mirëprit edhe përparimi i bërë në përafrimin me acquis sa i përket homologimit të automjeteve. U diskutuan edhe nevoja për t’i shqyrtuar ankesat e investitorëve të huaj në mënyrë efektive dhe për ta forcuar konkurrencën me qëllim të zhvillimit të plotë të potencialit të ndërmarrjeve për të eksportuar, si dhe korniza ligjore dhe rregullative për tregtinë elektronike.
Sa i përket doganës dhe tatimeve, Komisioni e theksoi rëndësinë e luftimit të mëtejmë të ekonomisë joformale dhe kryerjen e një rishikimi të politikës tatimore që do t’i hapte rrugë një reforme gjithëpërfshirëse dhe të thellë të politikës tatimore, duke përfshirë vazhdimin e digjitalizimit gradual dhe të plotë të të gjitha shërbimeve tatimore. Në dogana, Kosova po vazhdon të punojë në amendamentimin e Kodit Doganor dhe të Akcizave të Kosovës për ta harmonizuar atë me legjislacionin e BE-së. Komisioni e mirëpriti edhe synimin e qeverisë për ta hequr gradualisht përdorimin e pagesës së tarifave për terminalet doganore private brenda vendit.
Sa i përket politikës për industri dhe NVM, Komisioni Evropian e rikujton nevojën që Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) t’i mbështesë më mirë investimet dhe sektorin privat. Komisioni e mirëpriti interesimin e Kosovës për të marrë pjesë në Programin e Tregut Unik. Kosova u zotua që të vazhdojë ta përmirësojë mjedisin për biznes, përfshirë përmes digjitalizimit dhe thjeshtimit të shtuar të licencave dhe lejeve. U diskutuan edhe promovimi i zgjidhjes alternative të kontesteve tregtare, siç është ndërmjetësimi, si dhe krijimi i gjykatave ekonomike.
Sa i përket lëvizjes së lirë të mallrave, diskutimi u përqendrua në rritjen e kapacitetit të institucioneve dhe përafrimin e mëtejmë të legjislacionit me acquis të BE-së, me qëllim të përmirësimit të cilësisë së infrastrukturës në fushat e standardizimit, akreditimit, vlerësimit të pajtueshmërisë, metrologjisë dhe mbikëqyrjes së tregut.
Informata të përgjithshme
• Marrëveshja e Stabilizim Asocimit (MSA-ja) është korniza për BE-në dhe administratën e Kosovës për diskutime të rregullta mbi çështjet teknike dhe të politikave në lidhje me reformat e BE-së. Organet e MSA-së përfshijnë Këshillin e Stabilizim Asocimit, të ndihmuar nga Komisioni i Stabilizim Asocimit si dhe Nënkomisionet e MSA-së, të cilat e mbulojnë një gamë të gjerë të acquis të BE-së. Takimet e organeve të MSA-së japin kontribut të drejtpërdrejtë në raportet vjetore të Komisionit Evropian.
• Gjatë çdo takimi të nënkomisioneve monitorohet dhe përcillet realizimi i reformave nga Kosova dhe kuptohet se si BE-ja mund të ndihmohet në këtë proces.
• Shtatë fusha mbulohen përmes mbledhjeve sektoriale të nënkomisioneve për drejtësinë, lirinë dhe sigurinë; inovacionin, shoqërinë e informacionit, politikat sociale, arsimin dhe kulturën; tregtinë, industrinë, doganat dhe tatimet; tregun e brendshëm, konkurrencën, mbrojtjen e konsumatorëve dhe shëndetit, bujqësinë, peshkatarinë, sigurinë e ushqimit; transportin, mjedisin, energjinë, ndryshimet klimatike dhe zhvillimin rajonal; çështjet ekonomike dhe financiare, statistikat.
• Dy fusha të tjera që trajtohen përmes takimeve të grupeve të veçanta janë reforma e administratës publike dhe normalizimi.
• Takimet e Komisionit për SA dhe nënkomsioneve bashkëkryesohen nga Komisioni Evropian dhe Kosova. Çdo takim rezulton në veprime përcjellëse që përcaktohen bashkërisht e që duhet të ndërmerren nga autoritetet e Kosovës.
Koha midis takimeve e mundëson zbatimin e rekomandimeve dhe veprimeve shoqëruese për të cilat është arritur pajtim.
Liverpooli synon ta transferojë senzacionin e Brightonin kët...
MMPHI: Të gjitha rrugët që mirëmbahen nga ne janë të kaluesh...
Kurti: Prokuroria ka intervistuar kryeministra edhe më herët...
Kurti: Radoiçiq ka caktuar dy persona për të realizuar sulme...
Edmond Lajqi pranon fajësinë për vrasjen e gruas: I kërkoj f...
Plagoset me thikë 50-vjeçari shqiptar në Athinë, 4 autorët l...