Kosova bën marrëveshje me Gjermaninë për punësimin e të rinjve

10:23 | 23 Nëntor 2017
L G

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Skender Reçica, në një intervistë për Telegrafin ka thënë se mungon dora e shtetit për t’i ndihmuar të rinjtë të vetëpunësohen.

Ministri Reçica tha se janë duke bashkëpunuar ngushtë me qeverinë gjermane, për të krijuar mundësi për trajnime profesionale në këtë shtet.

“Përveç angazhimeve jashtë vendit, si Ministri kemi bashkëpunim të mirë edhe me një kompani gjermane ku dërgojmë të rinj për aftësim profesional. Aktualisht i kemi shtatë të rinj atje. Në dhjetor kemi një konkurs për dërgimin e disa të rinjve për t’i dërguar në Gjermani për studim dhe punë në fushën e ndërtimtarisë. Më 6 dhjetor përfundon konkursi, për dy vjet studim atje”, u shpreh ai.

Sipas tij, fokusi i kësaj Ministrie do të jetë rritja e punësimit, punësimi i të rinjve, si dhe aftësimi profesional.

“Në këtë periudhë kam takuar shumë të rinj dhe të reja dhe jam befasuar nga ata. Mungon dora e shtetit për t’i mbështetur ata, sepse pak ju duhen atyre që të bëjnë një vetëpunësim. Javën e kaluar kemi bërë një marrëveshje me GIZ dhe Ministrinë e Arsimit, ku si qëllim është rinia, arsimi dhe aftësimi profesional”, shtoi ministri Skender Reçica.

Ai ka treguar se kanë një bashkëpunim të mirë me Ambasadën e Gjermanisë në Kosovë, për lehtësimin e lëshimit të vizave në këtë shtet për qytetarët të cilët kanë kontrata pune.

“Sa i përket punës sezonale dhe qytetarëve që bëjnë punë atje, po bashkëpunojmë me Ambasadën Gjermane që të shikojmë modalitetet se çka të bëjmë si Ministri që të lehtësohet dhe të shkurtohet periudha e kohës që ata të paraqiten në vendin e punës atje”, ka thënë ai.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, tha se mosliberalizimi i vizave është duke krijuar probleme në punësimet sezonale.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme