UEFA ka konfirmuar ndarjen përfundimtare të përfaqësueseve nëpër grupe, në katër Liga, për Ligën e Kombeve. Sipas renditjes së FIFA-së, Shqipëria do të jetë pjesë e Ligës C, derisa Kosova pjesë e Ligës D.
UEFA ka konfirmuar këtë të mërkurë katër ligat që do të nxjerrin pretendentët për Ligën e Kombeve, menjëherë pas përfundimit të kualifikueseve të zonës së Evropës për Botërorin “Rusi 2018”.
Në Ligën A marrin pjesë Gjermania, Portugalia, Belgjika, Spanja, Franca, Anglia, Zvicra, Italia, Polonia, Islanda, Kroacia dhe Holanda (që i merr vendin Uellsit).
Ekipet do të ndahen në 4 grupe me nga 3 skuadra, e fituesit e secilit grup do të përballen për fazën finale të Ligës së Kombeve, me gjysmëfinalet, “finalen e vogël” dhe finalen e madhe në qershor të vitit 2019, për të mësuar edhe fituesin e Ligës së Kombeve. Vendi organizator do të përcaktohet në dhjetor të vitit 2018, e do të jetë njëri prej skuadrave finaliste.
Katër ekipet që do të përfundojnë të fundit në grupe do të bien në Ligën B për edicionin e 2020-s, ndërsa 4 ekipet e renditura më lart, të cilat nuk kualifikohen për Euro 2020, do të luajnë në “play off”-in e marsit të 2020-s për të përcaktuar të kualifikuarin në finale.
Liga B përbëhet nga Austria, Uellsi, Rusia, Sllovakia, Suedia, Ukraina, Republika e Irlandës, Bosnje-Hercegovina, Irlanda e Veriut, Danimarka, Republika Çeke dhe Turqia.
Këtu, ekipet do të ndahen në 4 grupe me nga 3. Fituesit e grupeve do të ngjiten në Ligën A, ndërsa 4 të fundit do të zbresin në Ligën C për garën e ardhshëm që do të luhet në 2020-n. Katër ekipet e renditura më mirë, por që nuk kualifikohen për Euro 2020, do të zhvillojnë “play off”-in e marsit 2020 për të kualifikuarin në finale.
Në Ligën C, ku bën pjesë edhe Shqipëria, janë gjithashtu edhe Hungaria, Rumania, Skocia, Sllovenia, Greqia, Norvegjia, Mali i Zi, Izraeli, Bullgaria, Finlanda, Qipro, Estonia dhe Lituania.
Ekipet këtu do të ndahen: Një grup me 3 skuadra dhe tre grupe me nga 4 skuadra. Katër fituesit e grupeve do të ngjiten në Ligën B, ndërsa 4 të fundit do të zbresin në Ligën D për edicionin e 2020-s. Ndërkohë, 4 skuadrat e renditura më mirë por që nuk kualifikohen në “Euro 2020”, do të zhvillojnë “play off”-in për të diskutuar një kualifikues në finale, shkruan Top Channel.
Liga D dhe e fundit përbëhet nga Azerbajxhani, Maqedonia, Bjellorusia, Gjeorgjia, Armenia, Letonia, Ishujt Faroe, Luksemburgu, Kazakistani, Moldavia, Lihtenshtajni, Malta, Andorra, Kosova, San Marino dhe Gjibraltari.
Ekipet këtu do të ndahen në 4 grupe me nga 4 skuadra. Fituesit do të ngjiten në Ligën C për edicionin e 2020-s, ndërsa katër ekipet e renditura më mirë, por që nuk kualifikohen për Euro 2020, do të luajnë “play off”-in për një vend në finale.
Por si do të përcaktohen ndarjet? 55 kombëtaret pjesëmarrëse do të ndahen sipas pozicioneve të tyre në renditjen e UEFA-s, pas përfundimit të kualifikueseve për Botërorin 2018 (pra renditja e 11 tetorit 2017, pa përfshirë rezultatet e “play offit.
Liga A përfshin 12 skuadrat më të mira, 12 të tjerat në Ligën B, 15 të radhës në Ligën C dhe 16 të mbeturat në Ligën D.
Faza e grupeve do të nisë me shortin e 24 janarit 2018 në Lozanë të Zvicrës. Ndeshjet e para do të luhen nga 6-8 shtator 2018, ndeshjet e dyta nga 9-11 shtator 2018, të tretat nga 11-13 tetor 2018, ndeshjet e katërta nga 14-16 tetor 2018, të pestat në 15-17 nëntori dhe të fundit më 18-20 nëntor.
Shorti i finaleve do të hidhet në fillim të dhjetorit 2018 dhe finalet do të zhvillohen nga 5-9 qershori 2019.
Shortet e “play off”-eve të Euro 2020 do të hidhen më 22 nëntor 2019, ndërsa ndeshjet do të luhen nga 26-31 marsi 2020.
Ndërkohë, Rusia dhe Ukraina nuk do të mund të bien në të njëjtin grup, sikurse edhe Armenia me Azerbajxhanin.
Tragjedia në Cetinje, Mali i Zi shpall tri ditë zie
Masakra në Nju Orlins: I dyshuari shtetas amerikan, në makin...
Ambasadori Dugolli: I trishtuar nga sulmi i tmerrshëm terror...
Të shtëna me armë në Mal të Zi, raportohet për disa viktima
Nga sot energjia elektrike në Maqedoni më shtrenjtë për 0.92...
Trump reagon ashpër pas tragjedisë në New Orleans