Kosova anëtarësohet në Komitetin Ndërkombëtar për Regjistrimin e Kafshëve

14:48 | 30 Janar 2020
Arditë Shkodra

Kosova është bërë anëtare e Komitetit Ndërkombëtar për Regjistrimin e Kafshëve (ICAR), organizatë kjo  Joqeveritare Ndërkombëtare,  e cila stimulon prodhimin e kafshëve në të gjithë globin në mënyrë më të qëndrueshme dhe më efikase. Anëtarësimi i Kosovës në ICAR, është bërë falë angazhimit të vazhdueshëm të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) bashkë me Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ). Kosova në këtë komitet do të përfaqësohet nga MBPZhR-ja.

Me anëtarësimin në këtë komitet,  Kosova do të përfitojë shumë sa i përket zhvillimit sipas standardeve të sektorit të blegtorisë, transmeton arbresh.info

Nga tash, Republika e Kosovës do të ketë bashkëpunim në arritjen dhe zbatimin e rregullave dhe standardeve për identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve riprodhuese, bashkëpunim me qëllim të harmonizimit të metodave për standardet e analizave të prodhimtarisë, bashkëpunimi në fushat që kanë të bëjnë me regjistrimin dhe vlerësimin e performancës së kafshëve, në standardizimin e Regjistrave të kafshëve sipas standardeve të ICAR me qëllim të vlerësimit të vlerës së kafshëve dhe sistemeve të menaxhimit të fermës.

Krahas këtyre përfitimeve, Kosova me këtë anëtarësim do të ketë edhe standardet dhe praktikat e mira për përdorimin e të dhënave të Regjistrimit të performancës me qëllim të vlerësimit të vlerës gjenetike të kafshëve.

Ndryshe, ICAR-i përbëhet nga 117 anëtarë nga 59 vende të ndryshme të botës dhe ky komitet me udhëzime dhe shërbime, ndihmon krijimin e sistemeve të prodhimit të kafshëve të bazuara në cilësi në të gjithë botën./arbresh.info/

Të ngjashme