Ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, në konferencën vjetore të prokurorëve ka thënë se shteti ligjor dhe i së drejtës është parakusht për funksionimin e shteteve demokratike dhe shoqërive të hapura.
“Individët si Anton Çetta, këtu në Kosovë. Si antropolog, z. Çetta punoi për të ruajtur trashëgiminë e pasur kulturore dhe historinë e Kosovës. Megjithatë, ai e kuptonte se disa tradita nuk përputheshin me të ardhmen demokratike të Kosovës. Për këtë arsye, e nën kërcënimin e madh personal dhe ndaj familjes së tij, z. Çetta punoi palodhshëm për të arritur paqe ndërmjet familjeve dhe për t’i dhënë fund brezave të tërë të gjakmarrjes. Z. Çetta e dinte se që institucionet demokratike të Kosovës të kishin sukses, publiku nuk mund dhe nuk duhej të luante rolin e gjykatësit, porotës dhe ekzekutuesit. Puna e tij forcoi respektin e Kosovës ndaj sundimit të ligjit dhe ju fuqizoi juve për tu bërë arbitra të drejtësisë”, tha nër të tjera Kosnett, shkruan Arbresh.info.
Ky është fjalimi i plotë:
Mirëmëngjesi. Fillimisht, më lejoni të falënderoj kryeprokurorin e shtetit Lumezi për ftesën për të folur sot gjatë konferencës vjetore të prokurorëve. Fakti që sërish po ju drejtohem në mënyrë virtuale vetëm na i përkujton sërish testet e ndryshme me të cilat po përballemi gjatë kësaj kohe të padëgjuar. Për fat të keq, nuk po flas vetëm për ndikimin e pandemisë.
Sot, nuk po kërcënohet vetëm shëndeti ynë, por edhe vetë demokracia. Si të gjithë ju, edhe unë u trondita nga ngjarjet e kohëve të fundit në Uashington. Dhuna politike e 6 janarit ishte përkujtuese e zymtë e brishtësisë së demokracisë, rëndësisë së sundimit të ligjit dhe rrezikut të gënjeshtrave dhe keqinformatave.
Por, përkundër dhunës dhe përpjekjeve tjera për t’i përmbytur zgjedhjet tona, institucionet tona rezistuan dhe bartja e pushtetit po vazhdon në përputhje me Kushtetutën tonë. Jam i bindur se Amerika do të dalë më e fortë se kurrë nga kjo periudhë kritike, por përpara nesh ende kemi edhe shumë punë dhe shumë dhimbje.
Sadoqoftë shqetësuese ishin këto ngjarje, kjo nuk është hera e parë që vlerat dhe institucionet tona demokratike janë testuar. Më duket e udhës t’i kthehem historisë për udhëzime. Një vegëz e përbashkët gjatë historisë, që është e vërtetë në vendin tim dhe tuajin, është se kohët e rrezikshme kërkojnë vepra të jashtëzakonshme nga individët e zakonshëm.
Individët si Anton Çetta, këtu në Kosovë. Si antropolog, z. Çetta punoi për të ruajtur trashëgiminë e pasur kulturore dhe historinë e Kosovës. Megjithatë, ai e kuptonte se disa tradita nuk përputheshin me të ardhmen demokratike të Kosovës. Për këtë arsye, e nën kërcënimin e madh personal dhe ndaj familjes së tij, z. Çetta punoi palodhshëm për të arritur paqe ndërmjet familjeve dhe për t’i dhënë fund brezave të tërë të gjakmarrjes. Z. Çetta e dinte se që institucionet demokratike të Kosovës të kishin sukses, publiku nuk mund dhe nuk duhej të luante rolin e gjykatësit, porotës dhe ekzekutuesit. Puna e tij forcoi respektin e Kosovës ndaj sundimit të ligjit dhe ju fuqizoi juve për tu bërë arbitra të drejtësisë.
Në Shtetet e Bashkuarra të Amerikës, frymëzohem po aq nga jeta e gjyqtarit Elbert Tuttle (Elbert Tatël), gjyqtar i apelit në Gjorgji në kulmin e lëvizjes për të drejtat civile në Amerikë gjatë viteve 1960. Gjatë gjithë jetës së tij, gjyqtari Tuttle luftoi palodhshëm për liritë civile të afrikano-amerikanëve. Atij shpesh i jepen meritat si njëri ndër arkitektët e heqjes së ndarjes raciale në jug. Përkundër sulmeve të panumërta personale dhe kërcënimeve fizike, Tuttle vazhdoi me ngulm duke avancuar të drejtat civile për komunitetet e lëna anash. Edhe pse ende mbetet shumë punë për të avancuar barazinë, përmes përkushtimit të një njeriu ndaj drejtësisë, premtimi i Gjykatës së Lartë për vendimet kundër ndarjes raciale u bë realitet.
Këto janë vetëm dy nga shumë shembuj historikë kur individët janë përballur me rrezikun për të mbrojtur vlerat që ata i vlerësojnë lart. Madje edhe përderisa po ndodhte dhuna e fundit në Kapitol, heronj vetëmohues demonstruan guxim të madh me veprime të mëdha e të vogla. Shumë prej jush keni dëgjuar rrëfimin për personelin e Kongresit që patën mendjen dhe guximin për t’i ruajtur votat e Kolegjit Elektoral dhe për t’i siguruar ato. Po e them sërish, këta janë qytetarë të rëndomtë, të cilët, kur u përballën me test, e bënë të duhurën – duke ndihmuar për të ruajtur dhe mbrojtur institucionet dhe vlerat tona demokratike.
Prandaj, prokurorë, mbrojtës të viktimave dhe staf ndihmës – mbani në mend që publiku ju beson që të jeni prijës të sundimit të ligjit. Mos iu frikësoni llogaridhënies – përqafojeni atë. Kërkoni nga vetja, kolegët dhe prijësit tuaj që t’i përmbaheni standardit më të lartë ligjor dhe etik. Mbroni me forcë të drejtat e viktimat dhe siguroni dinjitet njerëzor për të akuzuarit. Kërkoni drejtësi për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa marrë parasysh pozita e tyre në shoqëri.
Dhe ju nxis t’i mbani këto standarde dhe të shërbeni si shembull në shoqëri edhe në jetën tuaj personale. Kjo përfshin edhe luftën kundër pandemisë – bartni maskën, bindjuni rregullave të orarit kufizues dhe zvogëloni kontaktin shoqëror për të shmangur rrezikimin e panevojshëm të jetës. Nëse prokurorët nuk i marrin këto masa seriozisht, atëherë kush?
Jam i bindur se ju do të tregoni forcën dhe zgjuarsinë e duhur për të rezistuar dhe mbizotëruar në mbrojtje të lirisë, demokracisë dhe ligjit. Sepse me fjalët e Të Përndershmit Martin Luther Kingut të Riut: „Një njeri përfundimisht nuk matet me qëndrimin që e merr kur është rehat e mirë, por me qëndrimin që e merr kur përballet me sfida dhe polemika”./Arbresh.info/
Kushtetuesja konstaton se Kuvendi nuk bëri shkelje në shkark...
Azerbajxhani në zi për viktimat e aksidentit ajror
Përfundon operacioni për valixhen e dyshimtë në Ferizaj, zbu...
Raportohet për një valixhe të dyshimtë në Ferizaj, policia j...
Sveçla jep detaje të reja për aksionin e sotëm në veri
Kurti vizitoi repartin e rinovuar të Hemodializës në spitali...