Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett në një intervistë për Radion Evropa e Lirë tha se në mënyrë që Kosova dhe Serbia të lëvizin përpara, të gjithë duhet të kenë qasje të re ndaj çështjeve dhe “të ndërmarrin hapa të guximshëm për të sjellë ndryshime”.
Duke mos dashur të hyjë në detaje të procesit politik në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, Kosnett tha është e pamundur të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse pa u bërë kompromise nga të gjitha palët.
Shtetet e Bashkuara, sipas tij, sa i përket Kosovës dhe Serbisë po përpiqen të fokusohen në gjëra të arritshme në vend se në procese, rregulla dhe protokolle. Kosnett tha se qëllimi i Uashingtonit është që të inkurajojë një proces, i cili do të përfundojë me normalizim të plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve. Sipas tij, përpjekjet për të zgjidhur problemet politike janë zvarritur për vite të tëra, pa u bërë përparim i madh. Andaj, tha ai, SHBA-ja vendosi që të fokusohej në çështjet ekonomike mes dy vendeve.
Duke folur për marrëveshjen e arritur në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator, ambasadori Kosnett tha se është përgjegjësi e Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë që t’iu përmbahen zotimeve të dhëna në Uashington.
Radio Evropa e Lirë: Ambasador, Kosova dhe Serbia janë zotuar në Shtëpinë e Bardhë për normalizim ekonomik, duke nënshkruar dy dokumente të ndryshme. Mirëpo çështja kryesore është njohja e dyanshme. Kur mendoni se do të ndodhë kjo?
Philip Kosnett: Mendoj se është e vështirë ta përcaktojmë një afat kohor ose një afat të fundit. Qëllim i Shteteve të Bashkuara është të inkurajojë procesin, i cili do të përfundojë në normalizim të plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve. Ajo çka presidenti (i SHBA-së, Donald) Trump dëshiron të bëjë, është të fokusohet fillimisht në aspektin ekonomik. Përpjekjet për të zgjidhur të gjitha problemet politike janë zgjatur me vite, pa progres të theksuar. Kështu që presidenti tha ‘përse nuk e lëmë anash këtë dhe të fokusohemi fillimisht në çështjet ekonomike që janë shumë të rëndësishme për qytetarët e zakonshëm të të dy vendeve?’ Ne mendojmë se kjo tashmë po jep rezultatin e vet dhe ajo që bëjmë në aspektin ekonomik ka për qëllim të plotësojë dhe inkurajojë hapat që do të ndërmerren në aspektin politik. Mirëpo, nuk mund të them se sa gjatë realisht do të marrë deri në normalizimin e plotë politik mes Kosovës dhe Serbisë.
“Kosova dhe Serbia të përmbushin zotimet e bëra në Uashington”
Radio Evropa e Lirë: Tashmë ka një marrëveshje për normalizim ekonomik. Kush do ta mbikëqyrë zbatimin e marrëveshjes?
Philip Kosnett: Është thelbësore që Qeveria e Kosovë dhe e Serbisë të përmbushin premtimet që kanë bërë Uashington. Sigurisht që Shtetet e Bashkuara janë duke përcjellë këtë nga afër dhe një pjesë e madhe e progresit do të varet nga roli bizneseve amerikane dhe roli i agjencive të Qeverisë së SHBA-së. Siç e dini, një ekip nga Qeveria amerikane do të arrijë këtë mbrëmje në Kosovë, i kryesuar nga ambasadori (Richard) Grenell dhe nga shefi ekzekutiv nga Korporata Financiare për Zhvillim, së bashku me zyrtarë të tjerë të agjencive amerikane. Qëllimi i këtij udhëtimi do të jetë të lëvizim nga premtimet në Uashington, t’i kthejmë ato në realitet dhe të gjejmë rrugë për Qeverinë amerikane dhe bizneset amerikane ta përkrahin Kosovën derisa Kosova lëviz përpara. Krejt çka ne mund të bëjmë është mbështetja, ashtu siç është lufta me COVID-19 ose beteja për korrupsionin në Kosovë. Pra është një pjesë e madhe që miqtë e Kosovës mund ta bëjnë ta mbështesin atë. Por, në fund i përket njerëzve dhe liderëve të Kosovës ta bëjnë atë (marrëveshjen) të funksionojë.
“Të mos fokusohemi në rregulla dhe protokolle, por në çështje të arritshme”
Radio Evropa e Lirë: A e shihni edhe Bashkimin Evropian të angazhuar në implementimin e kësaj marrëveshjeje?
Philip Kosnett: Ne mendojmë se puna e bërë në Uashington e plotëson punën që është bërë në Bruksel nga Bashkimi Evropian. Ka një mospërputhje se çka vendoset në agjendë, kjo është e sigurt. Kur ne flasim për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe Serbisë, kur ne flasim për forcimin e bashkëpunimit ekonomik në rajon, sigurisht se BE-ja ka një rol në këtë dhe është diçka që ne bisedojmë me ata. Por, ajo çka ne duam të bëjmë është të mos fokusohemi vetëm në proces, rregulla dhe protokolle. Por, të përqendrohemi në çështje të arritshme.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë ndodh nëse njëra palë nuk e respekton zotimin e bërë, a ka ndonjë dënim ose sanksion?
.
Philip Kosnett: Kjo është një pyetje hipotetike. Ne do të kërkojmë përgjegjësi nga Kosova dhe Serbia për zotimet që kanë dhënë. Ne mendojmë se ato janë të arritshme. Vëmendja nuk duhet të jetë që të flasim për sanksionet ose dënimet. Më përpara unë isha fokusuar te mundësitë që marrëveshja e Uashingtonit do të sjellë. Në po flasim për mundësinë e investimeve të mëdha amerikane në Kosovë dhe në Serbi. Obligimet që liderët e Kosovës dhe Serbisë kanë marrë në Uashington, të kombinuara me përpjekjet për të luftuar korrupsionin dhe përmirësimin e klimës për investime në gjithë rajonin, ka për qëllim po ashtu të tërheqë para edhe nga investitorët privatë. Unë mendoj se sa më shumë të fokusohemi në mundësitë në krijimin e vendeve të punës, në investime, t’i japim energji sektorit privat në Kosovë dhe në vendet fqinje, atëherë do të shohim më shumë veprime sesa të flasim për sanksione dhe dënime. Kjo nuk është rruga e drejtë për t’i parë këto çështje.
Radio Evropa e Lirë: Bazuar në marrëveshjen e arritur, të dy palët do të ndalin përdorimin e pajisjeve të teknologjisë 5G nga shitës që nuk janë të besueshëm nga SHBA-ja. A është Huawai një shitës që nuk bën t’i besohet sipas SHBA-së? Kjo çështje është shumë e diskutueshme në Serbi, duke marrë parasysh lidhjet dhe bashkëpunimin që Serbia ka me kompanitë kineze.
Philip Kosnett: Unë nuk jam ambasadori i SHBA-së në Serbi. Prandaj, unë nuk do të flas se cilat janë planet e Serbisë. Unë e di se Qeveria e Kosovës e ka bërë shumë të qartë edhe në të kaluarën se i kupton shqetësimet amerikane sa i përket Huaweit dhe do të qëndrojë jashtë Huaweyit ose blerjes së ndonjë teknologjie që lidhet me këtë kompani në Telekomin e Kosovës dhe në jemi të kënaqur me këtë vendim.
Financimi i projekteve të Uashingtonit
Radio Evropa e Lirë: Ambasador kush do t’i financojë projektet që janë pajtuar palët në Uashington?
Philip Kosnett: Nuk mendoj e ka një përgjigje të prerë për këtë ende. Siç kemi diskutuar Korporata Financiare për Zhvillim është duke parë (mundësitë) për ta pasur një prezencë të madhe në rajon duke përfshirë edhe Kosovën. Banka jonë EXIM, Banka Eksport-Import, do të jetë e përfshirë. Ne shpresojmë po ashtu se do të ketë investime dhe nga sektori privat. Dhe sigurisht investimet evropiane, ashtu siç edhe u përmend me herët do të ketë edhe rol evropian në forcimin e tregtisë rajonale dhe zhvillimin infrastrukturës rajonale mes Kosovës dhe Serbisë si dhe mes gjithë shteteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Unë mendoj se kjo do të jetë një çështje për bisedime intensive në muajt e ardhshëm, por asgjë nuk është vendosur ende.
Radio Evropa e Lirë: A jemi duke folur për kredi apo donacione, ndihmë financiare, kur flitet për këto projekte?
Philip Kosnett: Unë mendoj se po flasim për të gjitha format e financimit; kredi, garancione të kredive, investime te sektorit privat. E gjitha do të jetë më e qartë në javët dhe muajt e ardhshëm.
Radio Evropa e Lirë: Sa është e gatshme Kosova t’i presë investitorët amerikanë?
Philip Kosnett: Unë mendoj se nëse flisni me investitorët amerikanë, dhe unë e bëj këtë gjatë gjithë kohës, përfshirë edhe diasporën kosovare në SHBA, mirëpo edhe kompanitë tjera, ata janë të vetëdijshëm për mundësitë në Kosovë dhe përparësitë në Kosovë. Për shembull, Kosova ka një popullsi shumë të re dhe shumë të aftë për punë. Unë fillimisht kam jetuar në Kosovë në vitin 2003 dhe kur u ktheva përsëri para dy vjetësh, unë u habita me njerëzit që i takova këtu. Ata janë shumë të rinj, shumë të shkolluar, që flasin disa gjuhë, të trajnuar për shumë gjëra. Njerëzit që mund ta bëjnë këtë vend një Izrael tjetër, një Singapor tjetër, një oazë të teknologjisë së zhvilluar në rajon. Pra, mundësi të mira që kompanitë amerikane i shohin.
Ne besojmë se përmirësim i marrëdhënieve mes Kosovës dhe fqinjëve të saj, në veçanti me Serbinë, si dhe tejkalimi i kulturës së ngulitur thellë të korrupsionit dhe nepotizmit në Kosovë, janë të rëndësishme për ta përmirësuar atmosferën për investimet të huaja. Dhe t’u them të drejtën, kur flas me investues të huaj, pyetja e parë që ata kanë është ‘a mund t’i besojmë sistemin të drejtësisë? A janë gjykatat të ndershme? Nëse ne kemi një mosmarrëveshje me një partner vendor, për shembull, a do të mund të kemi një gjykim të drejtë?’ Dhe unë nuk mund t’u jap atyre një përgjigje entuziaste sa do të dëshiroja. Kjo është një nga arsyet që Shtetet e Bashkuara përmes Departamentit të Drejtësisë, Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar në Departamentin e Shtetit, kanë vite që janë duke punuar për të forcuar sistemin e drejtësisë në Kosovë.
“Fizibiliteti në Ujman, s’e vë në pikëpyetje sovranitetin”
Radio Evropa e Lirë: Ambasador, të kthehemi sërish te marrëveshjet e arritura në Shtëpinë e Bardhë. Një prej pikave që ka nxitur pakënaqësi në Kosovë, kryesisht në mesin e partive opozitare ka të bëjë me studimin e fizibilitetit dhe përdorimin e përbashkët të Liqenit të Ujmanit. A besoni se Serbia ka hise aty?
Philip Kosnett: Ne besojmë se është shumë lehtë t’iu themi ‘jo’ gjërave, dhe është shumë më e vështirë të themi ‘po’ ose ‘ndoshta, le t’ia hedhim një sy’. Ne kemi tentuar ta sqarojmë se synimi ynë është që të kemi një ekip të Departamentit të Energjisë për të kryer studim të fizibilitetit rreth shfrytëzimit të liqenit për energji dhe furnizim të qëndrueshëm të ujit. Furnizimet stabile të energjisë dhe ujit janë probleme të mëdha për Kosovën edhe vendet fqinje. E kam parasysh historinë dhe e kam parasysh pse disa njerëz kanë thënë se ky është hapi i parë që vë në pikëpyetje sovranitetin dhe kontrollin. Sërish, është shumë e lehtë të themi, ‘jo, ne nuk do të marrim vendim të guximshëm’. Qëndrimi ynë është që përmes fizibilitetit, të shfrytëzojmë më mirë liqenin, dhe kjo gjë nuk e vë në pikëpyetje sovranitetin, kjo nuk e shtyn asnjë qeveri që të kryejë hapa specifikë.
Kjo është përpjekje e madhe për të krijuar marrëdhënie ekonomike në rajon, të cilat iu duhen banorëve të Kosovës dhe fqinjëve të tyre, në mënyrë që të ecin përpara. Më lejoni ta bëj këtë të qartë. Në 20 vjetët e fundit është zhvilluar një kulturë në Kosovë, ku shumë njerëz, të fushës politike apo të lidhur me spektrin politik, madje edhe shumë qytetarë të rëndomtë, kanë krijuar idenë se Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian apo të tjerët do të vazhdojnë të ofrojnë ndihmë të madhe ekonomike për Kosovën.
Më duhet ta them se ndihma jonë ekonomike është e krijuar për të qenë e përkohshme, për të qenë tranzicionale. Shembull, në sektorin e bujqësisë, ne nuk ndajmë vetëm para të gatshme për bujqit, mirëpo Agjencia amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), ka shpenzuar miliona duke tentuar që të modernizojë sektorin e bujqësisë këtu, për t’iu ndihmuar bujqve që të rrisin zinxhirin e fitimit dhe t’i sigurojnë më lehtë produktet.
Ne kemi investuar në sektorin e edukimit. Ne duam të besojmë se ndihma jonë në sektorin e edukimit – gjatë periudhës së pandemisë – ka pasur rol të rëndësishëm dhe u ka mundësuar fëmijëve që të mësojnë online. Unë mund të vazhdoj për shumë gjëra kështu, mirëpo puna është që të gjitha përpjekjet tona këtu, dhe përpjekjet e miqve tanë evropianë duhet të jenë për një periudhë. Prandaj pashmangshëm, Kosovës do t’i duhet të marrë më shumë përgjegjësi për zhvillimin e vet ekonomik, dhe mënyra për të arritur aty është përmes marrjes së hapave të guximshëm për të krijuar ekonomi rajonale, duke fuqizuar sistemin e drejtësisë dhe sektorin privat, dhe të gjitha këto më pas do të ndikojnë në tërheqjen e investimeve të huaja.
“S’duhet lejuar që e ardhmja të jetë peng i së kaluarës”
Edhe një herë, të gjitha këto janë të lidhura me përpjekjet për të përmirësuar lidhjet politike dhe ato ekonomike me fqinjët e Kosovës. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me Serbinë, shembull, një tjetër element i marrëveshjes së Uashingtonit është iniciativa e ashtuquajtur ‘mini-Shengen’. Kur ‘mini-Shengeni’ u bë çështje, unë kam dëgjuar shumë miq të mi në Kosovë duke thënë se ‘duhet të ketë diçka të gabuar në të, sepse Serbia e pëlqen këtë ide, dhe nëse Serbisë i pëlqen, atëherë duhet të jetë e dëmshme për ne’, apo, se ‘kjo gjë e rikrijon Jugosllavinë e vjetër’. Mirë, unë i kuptoj këto shqetësime. E di pak historinë e këtij shteti dhe nuk jam duke u tallur me personat që janë të shqetësuar. Mendoj se duhet të shohim përtej këtyre shqetësimeve dhe të kuptojmë se si mund të ndërtojmë ekonomi rajonale, që është e mirë për Kosovën.
Shihni hartën, fqinjëve të Kosovës iu duhet Kosova, aq sa Kosovës i duhet që të jetë pjesë e ekonomisë rajonale. Shembull, nëse shikojmë infrastrukturën e energjisë, rrjetin elektrik, krijimin e tubacioneve, përmes së cilëve do të mundësohej gaz natyror i qëndrueshëm dhe i lirë – që mund të bëhet pjesë e rëndësishme e energjisë së rajonit në të ardhmen – ju nuk mund të arrini këtë nëse Kosova është vetëm një pikë e zezë në mes. Ajo çfarë u kam thënë shpesh miqve të mi këtu është se nëse nuk e pëlqeni konceptin fillestar të ‘mini-Shengenit’, përgjigjja nuk duhet të jetë injorimi, përgjigjja është që ju duhet të shkoni në takime, të ofroni argumente për qëndrimin tuaj dhe tentoni të formësoni të ardhmen. Kjo nuk nënkupton harrimin e së kaluarës. Është e rëndësishme për popullin e Kosovës që të kujtojë të kaluarën, është e rëndësishme për Kosovën dhe fqinjët e saj që të përballen drejtpërdrejt me të këqijat e së kaluarës. Unë kurrë nuk i kam thënë dikujt, ‘harroje të kaluarën, mos u shqetëso për të’, mirëpo nuk mund ta lëmë që e ardhmja të jetë peng i së kaluarës.
Kosnett: Me BE-në partneritet, e jo rivalitet
Radio Evropa e Lirë: Teksa flasim për proceset politike në mes të Kosovës dhe Serbisë, a ka ndonjë përpjekje të përbashkët në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian kur është në pyetje dialogu i Brukselit? Në çfarë niveli?
Philip Kosnett: Ne jemi në kontakt të ngushtë me kolegët tanë të Bashkimit Evropian, këtu, në Beograd, në Bruksel, në Uashington. Ambasadori Grenell flet me, evropianët, Mathew Palmerin, i cili është i dërguar i posaçëm i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, kjo është puna e tij, që të punojë me evropianët dhe të tjerët për të tentuar ta çojmë përpara këtë gjë. Palmer ka qenë së fundmi në Bruksel dhe është takuar me zotin Lajçak. Definitivisht nuk ka rivalitet, është partneritet.
Krijimi i Asociacionit – “Duhet të flisni me Qeverinë e Kosovës dhe BE-në”
Radio Evropa e Lirë: Përgjatë negociatave të javës së kaluar në Bruksel, në nivel të ekspertëve, pala serbe ka kushtëzuar vazhdimin e negociatave me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Qeveria e Kosovës, në anën tjetër, ka thënë se Kosova do ta krijojë këtë Asociacion, por pas njohjes. Si e komentoni këtë gjë?
Philip Kosnett: Komenti im është që, unë besoj se ju duhet të bëni intervistë me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian këtu, mendoj se duhet të flisni me Qeverinë e Kosovës dhe BE-në, sa u përket detajeve të diskutimit në Bruksel.
Radio Evropa e Lirë: A prisni që Kosova që krijojë Asociacionin së shpejti?
Philip Kosnett: Nuk mund të them asgjë sot për këtë gjë. Nuk e di.
Radio Evropa e Lirë: Ambasador, liderët e Kosovës kanë thënë disa herë se ky vend ka bërë mjaft kompromise për komunitetin serb përmes planit të Ahtisarit dhe që nuk do të bëjë më shumë. Mirëpo Serbia, në anën tjetër, duket se nuk do të nënshkruajë marrëveshjen përfundimtare pa marrë diçka në këmbim. Si e shihni këtë?
Philip Kosnett: Pa hyrë në detajet e planit të Ahtisarit apo proceseve politike në Bruksel, mendoj se është e pamundshme që të arrijmë se një marrëveshje gjithëpërfshirëse, pa bërje të kompromiseve nga të gjitha palët. Gjatë përvojës sime si diplomat, marrëveshjet e suksesshme nuk i kënaqin plotësisht të gjitha palët, secili beson se ka hequr dorë nga diçka, ose se ka dhënë shumë. Por, kështu arrini te një marrëveshje e suksesshme. Serbët kanë qasjen e tyre sa i përket planit të Ahtisarit dhe asaj që është ka ndodhur në kaluarën. Mendoj se për të shkuar përpara, secili duhet të shikojë edhe një herë mirë gjërat. Kjo nuk nënkupton që marrëveshjet e së kaluarës duhet lënë anash, mirëpo i bie që njerëzit duhet të gjejnë mënyra se si të arrijnë te ‘po’-ja, në vend që të thonë ‘jo’. Dhe këtu përfshihet edhe Serbia, pasi kjo është një fushë ku secili duhet të marrë hapa të guximshëm për të krijuar ndryshim.
“Administrata Trump po punon që të sjellë ndryshime në Ballkan”
Radio Evropa e Lirë: Duke iu kthyer marrëveshje së Uashingtonit, a do të ketë takime të tjera në Uashington, marrëveshje të të tjera sikur ajo për normalizimin ekonomik?
Philip Kosnett: Nuk kam asgjë që mund të deklaroj tani, por mendoj se Kosova, Serbia dhe kolegët në Uashington dhe unë, jemi të fokusuar në inkurajimin për zbatimin e marrëveshjes që u arrit në Uashington. Ka shumë punë për të bërë. Ka qenë shumë e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të zotohen për këto angazhime, por shndërrimi i këtyre zotimeve nga letra në punë në terren, në autostrada, kërkon shumë punë dhe do të marrë kohë dhe ne nuk do të humbim fare kohë në këtë, prandaj edhe po punojmë. Ka njerëz që menduan se Uashingtoni vetëm deshi t’i sillte disa njerëz në Uashington për një foto të përbashkët, pra një foto e bukur e secilit në Shtëpinë e Bardhë, që do të ishte si iluzion për progres. Kjo nuk qëndron fare.
Mendoj se fakti se ne kemi një delegacion që arrin sot në Kosovë është indikacion se ne nuk duam vetëm simbolikë, ne duam veprime, duam që këto zotime t’i kthejmë në realitet dhe SHBA-ja do të jetë pjesë e këtij procesi.
Radio Evropa e Lirë: A po përpiqet dikush për simbolikë?
Philip Kosnett: Mendoj se është lehtë të gjendesh në proces. Në mënyrë të vazhdueshme e kemi thënë se duam rezultate, pasi kjo është qasja jonë diplomatike në Ballkan. Është fakt se administrata Trump ka treguar më shumë interes për të sjellë zhvillim ekonomik në Ballkan, sesa shumë administrata të tjera amerikane në shumë vite, qofshin republikanë apo demokratë. Është e qartë se ky segment është prioritet i administratës Trump. Një gjë mund ta them me besim të plotë se mbështetja për Kosovën dhe mbështetja për raporte të ngushta ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës është qëllim i të dyja partive. Republikanët dhe demokratët kujdesen për Kosovën, është raport shumë i ngushtë, special, por administrata aktuale realisht po punon shumë që të sjellë ndryshimin.
Kosnett: Ka njerëz në Kosovë që nuk u intereson për Dhomat e Specializuara
Radio Evropa e Lirë: Ambasador, shtetet e Kuintit i kanë bërë thirrje qeverisë dhe opozitës që të kundërshtojnë çdo përpjekje për diskreditimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit Special dhe që të sigurohen se misioni i këtyre dhomave është në pajtim me Kushtetutën. A ka lëvizje të tilla për mimin të gjykatës dhe kush mendoni se qëndron prapa saj?
Philip Kosnett: Mendoj se është e qartë dhe nuk është sekret se ka njerëz në Kosovën të cilëve nuk u intereson fare për Dhomat e Specializuara. Ata mendojnë se është e papërshtatshme që të ketë një gjykatë e cila është e fokusuar në krimet që mund të jenë kryer, akuza për krime në Kosovë dhe që nuk ka një mandat më të gjerë, dukë përfshirë edhe krimet tjera në rajon, krimet për një periudhë më të hershme gjatë viteve të 90-ta. E kam parasysh këtë. Pozicioni i qeverisë time është se Ballkani ka nevojë për më shumë drejtësi, jo për më pak drejtësi. Dhe se përgjigjja është që të sigurohemi se i gjithë sistemi gjyqësor kombëtar, në mënyrë aktive merret me krimet, pavarësisht se cilit komunitet i përket viktima ose se nga vijnë kryerësit e krimeve.
Do ta them edhe në mënyrë më të drejtpërdrejtë: ka njerëz që thonë pse ka një gjykatë që është e fokusuar vetëm te shqiptarët, kur shumë serbë nuk janë përballur me drejtësinë. Sërish, pikëpamja jonë është te përgjigjja se nuk duhet të ketë më pak drejtësi, por më shumë drejtësi. Tani, sa i përket rasteve specifike që janë në proces, në Kosovë ashtu si edhe në SHBA ekziston rregulli i prezumimit të pafajësisë. Ne supozojmë se çdokush është i pafajshëm dhe e meriton të trajtohet si i tillë, deri sa të shpallet fajtor nga gjykata. Prandaj fakti se diskush është i paditur ose nëse ka propozim për aktakuzë, nuk do të thotë se janë fajtor për asgjë. Ne duam që Gjykata të jetë në gjendje të funksionojë dhe në këtë drejtim, mendojmë se është e rëndësishme që secili t’i japë Gjykatës një mundësi që të bëjë punën e saj.
Konfiskimi i armatimit në veri, Kurti: Siguria e njerëzve dh...
Çfarë është rezistenca ndaj antibiotikëve dhe përse konsider...
Refuzohet kërkesa e Shalës për mosparaqitje ose shtyrje të s...
Reshjet e borës, zv.ministri Durmishi: Ekipet e mirëmbajtjes...
Koreja e Jugut: Rusia furnizoi me sisteme të mbrojtjes Koren...
“Euro Natur”, shqetësimin se zona Vjosë- Nartë kërcënohet ng...