Korrupsioni dhe edukimi i dobët i shoferëve problem që kërkon zgjidhje

09:46 | 31 Korrik 2024
E.K

Ekspertët e trafikut thonë se vendi ka nisur t’i vuajë ndjeshëm pasojat e korrupsionit dhe abuzimit në marrjen e patentë-shoferëve, sepse si pjesë e këtij sistemi të dobët dhe korruptiv është edhe niveli ende i dobët i edukimit për vozitje. Të dhënat e prokurorisë gjithashtu tregojnë për një rritje të rasteve të raportuara për keqpërdorime.

Njohësit e fushës së Telekomunikacionit thonë se procesi i marrjes së patentë-shoferit në Kosovë, ku individët paguajnë shuma të ndryshe ose gjejnë lidhje të tjera dhe më pak i nënshtrohen testit të rregullt ligjor vazhdon të jetë një fenomen i përhapur në Kosovë.

Ata thonë se përderisa niveli i abuzimeve varet nga gatishmëria e qytetarëve për të paguar për patentë-shoferë, efektet e korrupsionit përkthehen në pasoja për jetën e qytetarëve dhe kulturën e dobët të drejtimit të automjeteve.

Eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj, për Radio Kosovën ka treguar se disa nga pasojat negative është një përqindje të lartë e drejtuesve të pakualifikuar ligjërisht.

“Marrja e patentë- shoferit në mënyrë jo të rregullt sigurisht që ndikon negativisht në sigurinë rrugore”, tha Dedaj.

Ai sqaron se një tjetër faktor është përkeqësimi i sigurisë rrugore nga shoferët që nuk kanë njohuri të plota për rregullat e komunikacionit.

Ndërsa profesori universitar, Naser Lajqi, thotë se shoferët që nuk marrin patentë- shoferë në mënyrë të rregullt, përbëjnë rrezik për trafikun.

“Në shumë ekspertiza sidomos te shoferët e rinj, kemi gjetur jo vetëm tejkalim të shpejtësisë por edhe reagimet të cilat janë bërë me vonesë. Të gjitha këto janë pasojë e mos shkuarjes në ligjërata dhe ushtrime që i mbajnë auto-shkollat”, theksoi Lajqi.

Dedaj dhe Lajqi, të dy sugjerojnë se testimi elektronik do të frenojë parregullsitë dhe korrupsionin dhe shmang rrezikun e përgjithshëm në trafik.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, në një deklarim të mëhershëm për media ka thënë se u janë marrë licencat autoshkollave dhe u janë shkëputur kontratat zyrtarëve që kanë qenë pjesë e mashtrimeve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme