Korrigjimi, tragjik për Kosovën

08:44 | 6 Shtator 2018
Arbresh.info

Liderët politikë opozitarë të Kosovës, përfaqësuesit e shqiptarëve nga Lugina e Preshevës, si dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile në vend e kanë vlerësuar tragjike idenë e presidentit Hashim Thaçi për “korrigjimin” e kufirit të Kosovës me Serbinë, duke shtuar se çdo marrëveshje e tillë matet me Mitrovicën, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Kështu u tha në tryezën “Loja me kufij: luftë apo zgjidhje në Ballkan?”, që është organizuar nga emisioni “Jeta në Kosovë” gjatë ditës së djeshme.

Edhe pse në këtë tryezë ishin të ftuar kryeministri Ramush Haradinaj, kryeparlamentari Kadri Veseli, si dhe zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, ata nuk kanë marrë pjesë në tryezë.

Kurti: Me korrigjim e humbim veriun, nuk e marrim Luginën

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se çështja e kufijve i takon Republikës së Kosovës dhe asnjë person, sipas tij, nuk ka të drejtë t’i diskutojë në tavolinë të bisedimeve me Serbinë, shkruan më tutje “Zëri”.

“Është e domosdoshme që ne ta përpilojmë listën e kërkesave për Serbinë, sepse na ka shumë borxh. Nuk ka ndonjë dokument zyrtar të Qeverisë ose të Kuvendit në të cilën ne i shtrojmë të gjitha borxhet që na ka Serbia. Me idenë për korrigjimin e kufijve dhe kompromisin e dhimbshëm presidenti Thaçi e ka relativizuar shtetësinë e Kosovës dhe integritetin e saj territorial”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, një marrëveshje e tillë për “korrigjim” nënkupton humbjen e veriut dhe pamundësinë për ta marrë Luginën.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme