Koordinohen veprimet për mbrojtjen e parkut kombëtarë “Bjeshkët e Nemuna” nga degradimi

17:07 | 5 Qershor 2020
Arbresh.info

Koordinatori i veprave penale për degradimin e ambientit, prokurori i shtetit, Ersan Qavolli, ka mbajtur takim me zinxhirin komandues të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Pejës, krye-shefin e DAPK-së, me zyrtarët përgjegjës dhe kryeinspektorin e Inspektoratit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

“Temë e diskutimit në takimin e thirrur nga prokurori i shtetit me përfaqësuesit e institucioneve të lartcekura, ishte “Trajtimi i uzurpimeve të pronave në parkun kombëtarë “Bjeshkët e Nemuna”, ndërtimet pa leje në atë zonë dhe shqyrtimin e vlefshmërisë së lejeve të sharrave”.

Të pranishmit u pajtuan që gjatë këtij takimi të merren konkluzione të përbashkëta të cilat do ndikojnë drejtpërdrejtë në mbrojtjen e ambientit dhe zbatimin e ligjit në zonën e parkut kombëtarë “Bjeshkët e Nemuna”, thuhet në njoftimin për media.

Nga ky takim u nxorën këto konkluzionet si në vijim:

Identifikimi i menjëhershëm i pronave të uzurpuara në parkun kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” dhe fillimi i procedurave të lirimit nga organet përgjegjëse;

Identifikimi i menjëhershëm i ndërtimeve pa leje të cilat përbëjnë vepër penale dhe fillimi i procedurave të rrënimit nga organet përgjegjëse;

Shqyrtimi i vlefshmërisë së lejeve të sharrave të cilat operojnë në parkun kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”;

Lëshimi i urdhrit nga DAPK i cili do të pamundësonte futjen e materialit ndërtimor pa pasur leje;

Takimi i ardhshëm do të mbahet pas një muaji ku edhe do të vlerësohen rezultatet e arritura nga ky takim.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme