Një muaj e gjysmë nga hyrja në fuqi e vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës për konvertimin e patentë shoferëve serbë në ato të Republikës së Kosovës, procesi ka nisur të marrë hov. Deri tani, në veri të vendit janë dorëzuar rreth 1400 kërkesa për konvertimin e patentë shoferëve, kanë bërë të ditur nga Policia e Kosovës.
Qytetarët e Mitrovicës së Veriut shprehen se shumë prej tyre apo familjarëve të tyre i kanë ndërruar tashmë patentat e shoferit serb me ato të Kosovës.
“Atëherë kam qenë ndër të parët që kam marrë letërnjoftimin e UNMIK-ut dhe pa asnjë problem e kam konvertuar nga ai serb në atë të Kosovës. Shumica e njerëzve po e ndërrojnë patentën e shoferit serb me atë të Kosovës. Çfarë të bëjnë njerëzit, nëse e kanë letërnjoftimin e Kosovës, jetojnë në Kosovë, duhet ta respektojnë ligjin për t’iu shmangur dënimit”, tha një banor i Mitrovicës së Veriut.
E një tjetër qytetar theksoi: “Djali im ndryshoi patentën e shoferit, të gjithë po i konvertojnë. E ndërroi që të mos dënohej”.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se deri më tani janë dorëzuar rreth 1400 kërkesa për ndërrim të patentë shoferëve dhe atë 387 në Mitrovicën e Veriut, 193 në Zveçan, 347 në Leposaviq dhe 198 në Zubin Potok.
“Në maj të këtij viti ka filluar procesi i aplikimit për konvertim të patentë shoferëve në RKS dhe i gjithë procesi do të jetë i përmbyllur deri më 10 gusht të këtij viti. Deri më tash kemi 1400 aplikime për konvertim të patentë shoferëve dhe procesi po ecën pa asnjë problem. Mendoj se deri në përfundim të afatit do të përmbyllet gjithçka”, theksoi Elshani për RTK 2.
Ndërkaq, Milica Andriq Rakiq nga Iniciativa e Re Sociale tha se procesi i konvertimit të patentë shoferëve në RKS duhej të kishte ndodhur qysh në vitin 2021, e që do të pasonte me riregjistrimin e automjeteve.
”Ky veprim do të duhej t’i paraprinte gjithçkaje. E tërë kriza e shtatorit të vitit 2021 ka ndodhur për shkak të kësaj. Në vend që fillimisht qytetarëve t’u mundësohet konvertimi i dokumenteve, siç ishte rasti nga viti 2007 deri në vitin 2010 në jug dhe në veri më 2011 dhe 2017, Qeveria e Kosovës vendosi t’i konfiskojë automjetet. Ky do të duhej të ishte hapi i parë. Qysh në vitin 2021 do të duhej të niste procesi i konvertimit të dokumenteve, e më pas riregjistrimi i automjeteve”, tha ajo.
Afati për ndryshimin e patentë shoferëve skadon më 10 gusht. Pas kësaj date nuk do të jetë më i mundur përdorimi i patentë shoferëve serbë, që janë lëshuar për qytetarët e Kosovës.
Kina thotë se SHBA-ja po “luan me zjarrin”, për shkak të mbë...
Rohde falënderon Kosovën për mbështetjen pas sulmit në Gjerm...
Festat e fundvitit, fluks i shtuar i udhëtarëve në Kakavijë
Pritje mbi një orë e gjysmë te Dheu i Bardhë për të hyrë në ...
Musk konfirmon funksionalizimin e Starlink-ut në Kosovë R...
Antidroga në Prishtinë gjen një sasi të kokainës dhe një rev...