Konventa e PDK-së, paralajmëron zgjedhjet e parakohshme

13:32 | 26 Mars 2017
Arbresh.info

Konventa e Partisë Demokratike të Kosovës e cila ka nisur dje, do të mbajë edhe ditën e dytë, në të cilën pritet të bëhet publik nominimi i Veselit për të kandiduar për kreun e Qeverisë.

Këto zhvillime në Partinë Demokratike të Kosovës, janë përgatitje për shkuarje në zgjedhje të parakohshme, ka thënë për Indeksonline deputeti i PDK-së, Shaip Muja.

Ai ka theksuar se zgjedhjet e parakohshme janë të pa shmangshme, por para se të shkohet në to do të duhej të zgjidhej çështja e ligjit për Ushtrinë e Kosovës dhe Demarkacioni me Malin e Zi.

“Si çdo fillim ka edhe një mbarim edhe kësaj bashkëjetese i ka ardhur fundi siç shihet çartë nga të dy partnerët e koalicionit. Por do të ishte më qytetëruese sikur partnerët të uleshin dhe në mënyrë qytetare të bënin analiza për shkëputjen e jo nga takime jozyrtare , e mediatike të bëjnë vlerësime njëri për tjetrin sa po krijojmë opinion publik elektoral”, ka thënë Muja.

Ai është shprehur se para se të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, partneret duhet ti zgjedhin dy çështje më rendësi kombëtare.

E para sipas tij është ligji për Ushtrinë e Kosovës i cili duhet të vijë urgjentisht në parlament për ta miratuar për të cilën thotë se s’ka asnjë arsye neglizhimi.

“Sa më gjatë ta shtyjmë vejmë në telashe edhe partneret tanë kjo është detyrë e jona, obligim i yni dhe detyrim ligjor. E dyta demarkacioni të vije në tavolinat e kuvendit e deputetëve dhe të arrijmë një konsensus nacional për ta rrezuar opsionin aktual dhe për të nxjerrë një vendim për demarkacionin”, ka thënë Muja.

Sipas tij partia me e madhe ne vend PDK-ja edhe në konventë dje me deklarate politike ka vendosur që ushtria te behet dhe demarkacioni te rishikohet.

“Konventa është institucioni me i larte ligjore i partisë dhe kjo dje ka treguar çarte se vendi shkon ne zgjedhje te parakohshme . tutje kjo situate është e pa pranueshme te shtyhet sepse s’ka as kuptim as arsye me”, ka thënë Muja.

Ndërkaq deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Shukri Buja, në një prononcim për Indeksonline ka thënë se ky koalicion më nuk mund të vazhdoj tutje qeverisjen e vendit, sepse nuk ka fuqi të vendos për asgjë.

“Ky koalicion po shihet që edhe në Kuvend po çalon shumë dhe po ecën me vështirësi ku shpesh në seanca nuk kemi kuorum për vendimmarrje, e mos të flas për Qeverinë e cila e ka humbur rrugën në oborr”, ka thënë ai.

Sipas Bujës zhvillimi ekonomik dhe punësimi i njerëzve është lënë anash dhe se nuk ka asnjë plan për zbutjen e papunësisë në vend gjë që do të duhej të ishte teme kryesore.

“Zhvillimi ekonomik në kuotat që po shfaqet është një zhvillim shumë i vogël. Ndërsa çështja tjetër e ndjeshme e cila ka të bëjë rreth formimit të ushtrisë po shihet që do ta dërgoj në shtëpi këtë qeverisje, pra këto janë vetëm disa prej arsyeve që mund të na qojnë në zgjedhje të parakohshme”, ka thënë Buja.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme

Foto lajm