Kontrolli i trafikut në Ferizaj përmes veturave me pajisje inteligjente

14:07 | 26 Shtator 2023
E.H

Policia Rajonale e Ferizajt njofton se me vetura inteligjente ka ndaluar dhe kontrolluar dhjetëra automjete, për shkak të parregullsive të dokumenteve, skadimit të afatit të regjistrimit të mjetit.

Sipas një njoftimi, nga data 1 deri me 25 shtatorë 2023 janë shqiptuar 275 gjoba për kundërvajtësit, shkruan Arbresh.info.

“Policia do të vazhdojë me aktivitete të tilla edhe në ditët në vijim, ndërsa apelojmë tek drejtuesit e automjeteve që të respektojnë ligjin e komunikacionit rrugor, të pajisen me dokumentacion të rregullt dhe të regjistrojnë automjetet e tyre, siç e parasheh LIGJI Nr. 05/L-088 PËR RREGULLAT E TRAFIKUT RRUGOR:

‘’Neni 253, Regjistrimi i mjetit

1. Polici do të largojë nga trafiku edhe mjetin që nuk është regjistruar apo që nuk ka targa të caktuara të regjistrimit ose që nuk i është nënshtruar në afat të caktuar kontrollit teknik të rregullt apo të jashtëzakonshëm, ose për të cilin mjet nuk është vazhduar vlefshmëria e certifikatës së regjistrimit të mjetit.
2. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej njëqind e pesëdhjetë (150) eurosh, shoferi i cili vepron në kundërshtim me dispozitën e këtij neni.
3. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej dyqind (200) deri në gjashtëqind (600) euro, edhe personi juridik ose institucioni publik në emër të të cilit dhe brenda autorizimeve të të cilit ka vepruar personi i përcaktuar në paragrafin 2. të këtij neni.

Neni 254 Konfiskimi i targave

1. Polici do t’ia marrë përkohësisht targat e regjistrimit mjetit të cilin e ka larguar nga trafiku.
2. Polici i cili i ka marrë përkohësisht targat, e ka për detyrë t’ia kthejë ato shoferit kur të eliminohen shkaqet për shkak të të cilave janë marrë.
3. Në qoftë se shoferi në afat prej tridhjetë (30) ditësh nuk i mënjanon shkaqet për shkak të të cilave mjeti është larguar nga trafiku dhe nuk i merr targat, ato i dërgohen organit i cili i ka lëshuar’’”, thuhet në njoftim./Arbresh.info

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme