Zëvendëskryeministri në detyrë i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, deklaroi se në bisedimet me Bullgarinë po diskutohen çështje që kanë të bëjnë me identitetin maqedonas, gjuhën dhe aspekte tjera historike. Ai tha se diskutime të tilla janë në dëm të interesave kombëtare dhe shtetërore.
Dimitrov i bëri këto pretendime gjatë një konference për media të mërkurën, vetëm katër ditë para se të largohet nga detyra, pasi nuk do të jetë pjesë e Qeverisë se re maqedonase, që pritet të zgjidhet më 16 janar.
Ai tha se gjatë mandatit të tij katërvjeçar në postin e zëvendëskryeministrit për Çështje Evropiane, nuk ka lejuar që të dëmtohen interesat kombëtare maqedonase, qoftë në bisedimet me Greqinë për çështjen e emrit, apo në bisedimet që po zhvillohen me Bullgarinë, ndërsa theksoi se pikërisht këto qëndrime kanë bërë që ai të mos ketë vend në kabinetin e ri qeveritar.
“Unë e kam thënë edhe në Qeveri, edhe tani që nuk do të jem pjesë e saj, se do të jem pengesë për një zgjidhje të keqe, pasi është një çështje më e rëndësishme se Qeveria. Në një situatë kur pozicionet tona janë të pastra si kristali, në një situatë kur 26 nga 27 shtetet anëtare të BE-së i kuptojnë në tërësi pozitat tona, të prekësh në identitetin tonë është kundërproduktive… Ne po mbrojmë diçka që është e jona. Ne nuk kërkojmë asgjë nga të tjerët. Gjuha maqedonase është çështje e jona personale dhe nuk është objekt njohjeje nga kushdo qoftë tjetër. Ne jemi shtet i pavarur dhe jo provincë e ndonjë shteti tjetër dhe kemi të drejtë dhe obligim që këtë ta mbrojmë”, tha Dimitrov, pa dhënë detaje tjera se çfarë konkretisht është biseduar dhe çfarë marrëveshje po përgatitet të arrihet me Bullgarinë.
Dimitrov kritikoi ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, dhe tha se nuk ka besim në të që të udhëheqë procesin e bisedimeve me Bullgarinë.
“Po, nuk kam besim të plotë në ministrin e Punëve të Jashtme [v.j. Bujar Osmani] duke marrë parasysh përvojën time, komunikimet e brendshme, por edhe kontaktet me shtetet anëtare të BE-së, si dhe me institucionet tjera në Bruksel. Kam ndjenjën se përpjekjet për arritjen e suksesit me çdo çmim mund të mos jenë produktive, madje edhe të rrezikshme”, tha ai.
Ndaj deklarateve të Dimitrovit ka reguar zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi që i ka dhënë mbështetje të plotë punës së kryediplomatit, Bujar Osmani.
“Unë kam besim të plotë në punën e ministrit të Jashtëm, Bujar Osmani, i cili me përgjegjësi po kryen punën e tij në bisedimet me Bullgarinë dhe jam i bindur se do të arrijmë zgjidhje në gjashtë muajt e parë të këtij viti. Me vjen keq që Dimitrov këtë e thotë në fund të mandatit të tij”, tha Grubi.
Pretendimet e Dimitrovit, të cilat nuk i ka publikuar asnjëherë në opinion gjatë mandatit të tij katërvjeçar si zëvendëskryeministër, vijnë në momentin kur për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut pritet të vjen kryeministri bullgar, Kiril Petkov. Vizita është paraparë më 18 janar, një ditë pas të nisë punën Qeveria e kryeministrit të ri të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
Kryeministri bullgar, Kiril Petkov, përmes një video-mesazhi i të publikuar të martën në mbrëmje, ka shprehur përkushtimin për raporte të mira ndërfinjësore me Shkupin, por pa saktësuar nëse Sofja është e gatshme të heqë veton në procesin e integrimit evropian për Maqedoninë e Veriut.
“Ne jemi bashkuar drejt një qëllimi, të kemi raporte të mira fqinjësore. Në këtë fillim të ri, ne duhet të diskutojmë çështje të rëndësishme për të dyja vendet në lidhje me të drejtat e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut, infrastrukturën e përbashkët, kalendarin e përbashkët kulturor, integrimin evropian dhe historinë”, ka deklaruar Petkov duke komentuar konkluzionet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Bullgarisë, që ishte thirrur nga presidenti bullgar, Rumen Radev.
Edhe Dimitar Kovaçevski, i cili të dielën më 16 janar pritet të zgjidhet kryeministër i ri i Maqedonisë së Veriut, shpreson në arritjen e një marrëveshjeje me Bullgarinë, e cila nga nëntori i vitit 2019 ka bllokuar nisjen e bisedimeve të Maqedonisë së Veriut me BE-në duke e kushtëzuar me zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me gjuhën, identitetin, por edhe të drejtat e pakicës bullgare në Maqedoninë e Veriut.
Por, kryeministri bullgar, Kiril Petkov, së fundmi ka thënë se dy vendet duhet të bisedojnë edhe për çështje tjera, përskaj atyre për historinë, si për aspektet ekonomike, infrastrukturën, shëndetësinë dhe çështje tjera./REL/
“Ke e diele, nuk u nejke”, arsyetimi qesharak i Gjestit pse ...
Mot i paqëndrueshëm në Shqipëri, vranësira dhe reshje shiu, ...
Një orë pritje për hyrje në Kosovë nga Dheu i Bardhë
Turqia ia zë vendin Iranit si forcë e huaj mbizotëruese në S...
Bernabeu iu përul legjendës: Një lamtumirë madhështore për d...
Meksikë, rrëzohet avioni “Cessna 207”, raportohet për 7 vikt...