Konkursi në FSK, dy mijë aplikime deri më tani për 650 vende

09:06 | 18 Shkurt 2019
Arbresh.info

Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës të hënën me 11 shkurt ka hapur zyrtarisht konkursin publik për rekrutimin e rekrutëve (OR1) – ushtarëve që do të shërbejnë në komponentën aktive të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Në një intervistë për portalin arbresh.info, Gjeneral Skender Zhitia ka treguar për konkursin në fjalë.

“Konkursi është hapur me 11 shkurt do të zgjas deri më 22 shkurt. Ministria e Mbrojtjes i ka bërë të gjitha parapërgatitjet që ky proces i rekrutimit të rekrutëve të rinj në FSK të shkoj më së miri. Në kuadër të kësaj kemi caktuar disa ekipe mobile që do t’i njoftojnë të rinjtë për kriteret, testet, dokumentet që duhet pasur kur konkurrojnë. Janë pesë ekipe dhe dalin në të gjitha qytetet e Kosovës”, ka thënë ai.

Zhita ka përmendur edhe ndryshimet tek kriteret, tani pas hyrjes në fuqi të ligjeve që kanë mundësuar shndërrimin e kësaj force në ushtri.

“Me shpalljen në gazetën zyrtare të tri ligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, kanë ndryshuar një kriter i përgjithshëm. Kriteri tek mosha këtë vit është nga 18 në 23 që në vitin e kaluar ishte 18 deri në 25. Një kandidatë që i ka 23 vjet e 11 muaj e 30 ditë, do të thotë një ditë pa i bërë 24 vjet ka të drejt të aplikoj me qenë rekrut i ri në FSK”, ka thënë ai.

I pyetur për numrin e aplikantëve deri më tani, ai ka thënë se diku rreth 4 mijë aplikacione janë marr dhe se sipas tij do të pranohen dikund deri në 650 të rinj.

“Në bazë të statistikave deri në ditën  e djeshme janë marr rreth 4 mijë aplikacione, ndërsa kanë aplikuar deri dje rreth 900 aplikues. Rreth 30 kandidatë që kanë aplikuar i takojnë pakicës në Kosovë, dhe besoj që deri ën fund të konkursit do të ketë qindra kandidatë nga minoritetet, sepse kemi pasur kërkesa nga ta që janë të interesuar të jenë pjesë e insitutcionit tonë.  Kriteret janë të njëjta si për komunitetin shumicë pra shqiptarët edhe për të tjerët. Ne përafërsisht rreth 650 të rinj do t’i rekruetojmë këtë vit që do të jenë pjesë e FSK-së, Ky numër mund të ndryshoj, sepse statistikat te ne mund të ndryshojnë. Mund të ketë pozita më shumë të lira në fund të përmbylljes së procesit të rekruetimit. Bazuar në ligjin për pensionim të pjesëtarëve të FSK-së, për çdo vit kem dalje të pjesëtarëve në pension, kështu që lirohen pozitat. Njëkohësisht ka edhe dalje të vullnetshme për interesa personale dhe këto dalje miratohen. Ka edhe dalje tjera si vdekjet natyrore apo largimet në raste të thyerjes së disiplinave”, është shprehur ai.

Gjeneral Zhitia ka folur edhe nëse do të duhej të ishte obligative për të rinjtë pjesëmarrja në FSK.

“Bazuar në aktet e ligjeve tashmë të miratuara për FSK-në, edhe në të ardhmen kjo Forcë do të jetë vullnetare,  ku do të jetë e hapur për të gjithë qytetarët. Shërbimi nuk do të jetë i kushtëzuar edhe pse disa shtete që pretendojnë të jenë anëtare të NATO-së, kanë filluar që shërbimin ushtarak ta kenë të obliguar. Por rrethanat në të cilat jetojmë, dhe ligjet na obligojnë në Kosovë që në të ardhmen të mos kemi shërbim të obligueshëm”, është shprehur ai.

E ndër të tjera, Zhitia ka dhënë edhe një mesazh për të rinjtë që kanë aplikuar të jenë rekrut të FSK-së.

“Me qenë pjesë e FSK-së është krenari. Në radhë të parë si Gjeneral i FSK-së për mua është ndjenja më e shenjtë, sepse kemi kontribuar në shtetin tonë të ri, që përmes këtij institucioni plotësojmë disa nga kriteret e rëndësishme që vendi jonë të jetë pjesë e organizmave ndërkombëtarë siç është NATO dhe BE. Krenar na bënë vet fakti që të respektojnë të gjithë. Nëse flasim për ata që konkurrojnë, mund të them që në momentin kur kanë prekur në kazermat e FSK-së si kandidatë që të aplikojnë, mendoj që e kanë ndier në shpirtin e tyre ndjesinë sa mirë është të jesh pjesëtar i FSK-së. FSK jep mundësi të shumta që pjesëtarët e saj të ndihen të lirë. Këtu respektohet rendi i ditës, urdhrat, ligjet. Është institucion që ka respekt të ndërsjellë mes gjinive, besimeve, përkatësive etnike. Funksionojmë si familje”, ka thënë ai./V.Berisha/Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme