Konjufca telefonon homologun italian, flasin për luftimin e pandemisë COVID-19

14:15 | 9 Prill 2020
Arbresh.info

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca ka bërë të ditur se gjatë të mërkurës ka zhvilluar një bisede telefonike me homologun e tij italian, Luigi Di Maio.

Konjufca bëri të ditur se ka ngushëlluar Di Maion për viktimat e pandemisë COVID-19, dhe ka uruar që të infektuarit e tjerë të shërohen sa më shpejt.

“Gjatë ditës se djeshme zhvillova një bisedë telefonike me homologun tim italian, Shkëlqesinë e Tij z. Luigi Di Maio. Gjatë kësaj bisede i shpreha ngushëllime për viktimat e pandemisë COVID-19 dhe i urova që të infektuarit të shërohen sa më shpejt dhe t’u bashkohen familjeve të tyre. Në emër të Republikës së Kosovës shpreha solidaritetin tonë për betejën që populli italian po e bën me këtë pandemi”, shkruan Konjufca në Facebook.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se ka diskutuar me ministrinë e Punëve të Jashtme të Italisë, për masat e marra nga Qeveria e Kosovës, në lidhje me ngadalësimin e përhapjes së virusit.

Konjufca shtoi se janë pajtuar me Di Maion që të vazhdojnë kontaktin për të shkëmbyer përvojat në luftimin e pandemisë.

“Gjithashtu, z. Di Maio e njoftova për situatën e krijuar nga pandemia në Republikën e Kosovës dhe për masat, të cilat po i ndërmerr Qeveria e Republikës së Kosovës për ta ngadalësuar përhapjen e këtij virusi. Në fund, u pajtuam që t’i vazhdojmë kontaktet tona për të shkëmbyer përvojat në këtë betejë të përbashkët botërore dhe për t’i zgjeruar e thelluar edhe më tutje raportet e shkëlqyeshme mes shteteve dhe popujve tanë”, shkruan Konjufca.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme