Në Kuvendin e Republikës së Kosovës, me moton “Arsimimi për një botë ndryshe” filluan sot punimet e Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (AP e PBEJL-së).
Punimet e Asamblesë u zhvilluan me Komisionin e Përgjithshëm për Zhvillim Social, Arsim, Kërkim dhe Shkencë, që zyrtarisht i hapi kryesuesja e këtij komisioni, deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vlora Dumoshi, përcejll Arbresh.info.
Kryesuesja Dumoshi, duke iu uruar mirëseardhje në Kosovë anëtarëve të kësaj asambleje, theksoi se është dhe hera e parë që Kuvendi i Kosovës mirëpret fizikisht përfaqësuesit e AP e PBEJL-së dhe që sipas saj, ky përkushtim dhe pjesëmarrje nga të gjithë anëtarët veçse thellon dhe çon përpara bashkëpunimin ndërparlamentar rajonal dhe me gjerë.
Sesioneve punuese u parapriu fjalimi i Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca dhe Ministres së Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca në fjalën e tij referuar motos së sivjetshme të kësaj organizate theksoi se AP PBEJL vazhdon të jetë i vetmi forum rajonal i bashkëpunimit, i cili përfshin të 13-të vendet e Evropës Juglindore, duke e bërë formatin më gjithëpërfshirës në rajon. Sipas tij AP PBEJL u krijua për të përmirësuar marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe për të promovuar dialogun dhe bashkëpunimin midis pjesëmarrësve me perspektivën e integrimit të Evropës Juglindore në strukturat evropiane dhe euroatlantike.
“Kosova ka qenë pjesëmarrëse aktive në SEECP që nga viti 2014. Si anëtare, Kosova ka kontribuar në hartimin, zbatimin dhe monitorimin e reformave të lidhura me BE-në, duke marrë pjesë rregullisht në proceset e politikëbërjes. Gjatë këtyre viteve, institucionet tona kanë qenë të përkushtuara në ndërmarrjen e reformave të nevojshme duke u përkujdesur që ato të jenë konform frymës dhe qëllimeve të SEECP-së”, theksoi Kryetari Konjufca.
Duke u thirrur në rëndësinë e forumit, i pari i Kuvendit theksoi nevojën e vazhdimit të bashkëpunimit për të arritur objektivat e përcaktuara nga ky forum, në fushat e interesit të përbashkët, në mënyrë që të kultivohet bashkëpunim sa më konstruktiv ndërmjet shteteve anëtare, duke siguruar kështu, që rajoni të përfitojë nga mundësitë e ofruara nga Bashkimi Evropian dhe strukturat euroatlantike.
“Duke qenë se Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore është një platformë e rëndësishme për bashkëpunimin dhe integrimin rajonal, ne e konsiderojmë pjesëmarrjen tonë në këtë mekanizëm si qenësore për përparim drejt një të ardhmeje më stabile, më të sigurt dhe më prosperuese. Prandaj është e rëndësishme që të vazhdojmë të punojmë së bashku për të arritur objektivat e përcaktuara në SEECP në fushat e interesit të përbashkët, të kultivojmë bashkëpunim sa më konstruktiv mes nesh, duke siguruar kështu që rajoni të përfitojë nga mundësitë e ofruara nga Bashkimi Evropian dhe strukturat euroatlantike”, theksoi Kryetari Konjufca.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, lidhur me moton e kësaj asambleje, “Edukimi për një botë ndryshe” theksoi se vet motoja e këtij forumi është bosht qenësor i diskursit lokal, rajonal dhe global rreth ndryshimeve të nevojshme në sistemin arsimor, në përputhje me kohët moderne dhe me kërkesat e tregut të punës. Në një botë që po avancon me ritme marramendëse, shtoi ajo, politikëbërja duhet të jetë më relevante se kurrë, duke shkuar paralel me zhvillimet në terren dhe në treg.
Për më tepër, Ministrja Nagavci tha se një botë ndryshe kërkon shkathtësi të ndryshme e të ndryshueshme, dhe mbi të gjitha aftësinë për të kombinuar talentin dhe disiplinën në mënyra kreative.
“Një nga mënyrat konkrete se si ne jemi duke përshtatur edukimin me botën ndryshe është përmes zhvillimit të shkathtësive profesionale, sipas kërkesave të tregut të punës – duke qenë njëkohësisht në linjë me prioritetet e Bashkimit Evropian dhe me Vitin Evropian të Shkathtësive. Konkretisht, me iniciativën e Ministrisë së Arsimit, në vitin 2022 filluam për herë të parë pilotimin e arsimit dual në shkollat e mesme profesionale të Kosovës, i bazuar mbi modelin gjerman. Brenda një kohe rekord prej dy vitesh, kemi arritur të funksionalizojmë 12 profile të arsimit dual, në 24 shkolla, në 14 komuna të vendit, me 920 nxënës. Ndërkohë, jemi duke vazhduar punën për finalizimin e paketës kurrikulare dhe trajnimin e mësimdhënësve në arsimin dual” tha ndër të tjera Ministria Nagavci.
Tutje, forumi vazhdoi punimet me sesionet prezantuese të punës së anëtarëve të Asamblesë.
Lidhur me këtë, Kordinatori i EJL dhe Analisti i Lartë i Politikave Ekonomike, Arslan Umut Ergezer mbi Indeksin Gjithpërfshirës të Rritjes në EJL, u shpreh se ky indeks është realizuar kohëve të fundit dhe është në të njëjtën linjë me strategjinë për vitin 2030. Përgjatë prezantimit të tij, Umut theksoi se vënia e theksit vetëm tek anëtarësimi në BE ka bërë që shtetet të lënë anash faktorë që në mënyrë indirekte ndihmojnë agjendën drejt anëtarësimit në BE.
Asambleja vazhdoi punimet me prezantime dhe diskutime tematike lidhur me edukimin për një botë më ndryshe.
Kryesuesja e takimit, deputetja Vlora Dumoshi, në prezantimin e raportit dhe draft-rezolutës vuri në pah se ky raport përshkruan ndryshimet dhe zhvillimet kryesore në fushën e arsimit me fokus në përshtatjen e sistemeve arsimore për të përgatitur studentët për një botë më ndryshe dhe në zhvillim të shpejtë, duke përfshirë aftësitë përkatëse për punësim dhe bashkëpunim ndërkombëtar në Evropën Juglindore (EJL).
“Raporti përfshin tre segmente kryesore: Ndryshimi i vazhdueshëm dhe arsimi, ndikimi i teknologjisë në arsim dhe tregu global i punësimit. Në aspektin e ndryshimit të vazhdueshëm dhe arsimit, raporti thekson nevojën për ndryshime të vazhdueshme dhe përmirësime në sistemin arsimor për të përshtatur atë me kërkesat e një bote që evoluon. Për të arritur këtë, është e rëndësishme të zhvillohen qasje, mjete dhe strategji të reja që adresojnë problemet aktuale në arsim”, theksoi kryesuesja Dumoshi.
Pas ezaurimit të debatit, anëtarët prezentë njëzëri miratuan draft-raportin dhe draft-rezolutën, e prezantuar nga kryesuesja Dumoshi.
Punimet e Asamblesë vazhdojnë nesër në orën 9:30, me Komisionin e Përgjithshëm për Drejtësi, Çështje të Brendshme dhe Siguri./Arbresh.info/
Ancelotti: Jemi rikthyer, pas humbjes ndaj Milanit, folëm dh...
Kurti e Nagavci lansojnë nesër pilotimin e Programit të Kupo...
Policia e Kosovës sekuestron armë të ftohta në tregun e auto...
Abdixhiku sjellë Pallatin e Ri Sportiv, Pishinën Olimpike dh...
Shuhet kureshtja, Diana dhe Arioni më të lumtur se kurrë pra...
Gjendet armë dhe 50 fishekë në valixhen e një pasagjeri në a...