Google ADS

Konjufca takon ambasadorin Markusz: Hungaria mbetet përkrahëse e parezervë e Kosovës

14:53 | 31 Janar 2020
Arbresh.info

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim ambasadorin e Hungarisë në vendin tonë, Laszlo Markusz, me të cilin diskutoi për zhvillimet aktuale në Kosovë, bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve dhe parlamenteve respektive.

Kryeparlamentari Konjufca vlerësoi lart mbështetjen e deritashme të Hungarisë për Kosovën në shumë fusha, si implementuese e projekteve të Bashkimit Evropian, përfshirë Projektin e BE-së të Binjakëzimit 2016 -2018.

Konjufca theksoi se përvoja e çmuar e raporteve të Kuvendit të Kosovës me Parlamentin e Hungarisë, paraqet modelin e duhur që Kuvendi ynë po e ndërton me shumë parlamente të tjera në botë.

Duke vënë në pah prioritetet e vendit, kryeparlamentari Konjufca tha se mirëpret thellimin e bashkëpunimit në të gjitha nivelet me Hungarinë, si përkrahëse e parezervë e prosperitetit në Kosovë, zhvillimit ekonomik dhe të ardhmes së saj euro-atlantike.

Ambasadori i Hungarisë, Markusz, pasi uroi kryetarin Konjufca për zgjedhjen e tij në krye të Kuvendit të Kosovës, shprehu gatishmërinë e vendit të tij për forcimin e bashkëpunimit të gjithanshëm midis dy shteteve.

Ai siguroi kryetarin e Kuvendit se shteti i tij do të jetë mbështetës i vazhdueshëm i Kosovës për anëtarësimin e saj në institucionet ndërkombëtare, proceset e saj integruese, si dhe zhvillimin ekonomik.​/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme