Konjufca takon ambasadorin e Malit të Zi, flasin për heqjen e taksës kufitare

15:14 | 25 Qershor 2021
V. S.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim ambasadorin e Malit të Zi në Kosovë, Mirsad Biboviç.

Ambasadori Biboviç, me këtë rast, e uroi kryekuvendarin Konjufca për detyrën dhe për konstituimin e institucioneve të reja, të dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit.

Ai i vlerësoi të dobishme marrëdhëniet e deritashme ndërmjet dy shteteve dhe njëherësh konfirmoi gatishmërinë e bashkëpunimit bilateral edhe në të ardhmen në çështje të interesit të përbashkët.

Kryekuvendari Konjufca e falënderoi ambasadorin Biboviç për mbështetjen që Mali i Zi i ka ofruar Kosovës në fusha të ndryshme, po ashtu e mirëpriti heqjen e taksës kufitare për qytetarët e Kosovës, si dhe u shpreh në dobi të vazhdimit dhe forcimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Në takim, ndër të tjera, u diskutua edhe për situatën aktuale politike, zhvillimet rajonale dhe perspektivën evropiane të dy shteteve tona./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme