Konjufca: Serbia është e gatshme t’i shtyjë planet e Putinit për destabilitet e luftë në rajonin tonë

22:16 | 24 Shkurt 2024
R J

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka reaguar së fundmi me rastin e shënimit të dy vjetorit të agresionit rus kundër Ukrainës.

Ai ka thënë se Republika e Kosovës shpreh mbështetjen dhe solidaritetin ndaj Ukrainës kundër sulmit të Rusisë.

Kosova është e përkushtuar për lirinë dhe sovranitetin, duke ndarë synimet për integrim në NATO dhe BE. Liria për Ukrainën, ishin disa nga fjalët e Konjufcës.

Postimi i plotë:

Këto dy vite që nga sulmi i Rusisë mbi Ukrainën, shënojnë fazën kur në mënyrë të qartë botës iu ofruan dy propozime, njëri që thërret për radhitje nën emrin e lirisë, dinjitetit dhe demokracisë, e tjetri që dëshiron nënshtrim, pushtim, shfrytëzim dhe krime kundër njerëzimit.

Republika e Kosovës është krenare që angazhohet fuqishëm, pa mëdyshje dhe ambiguitet, në anën e drejtë të historisë, duke iu bashkuar asistencës dhe solidaritetit të botës demokratike ndaj Ukrainës, që ashtu si ne aspiron integrim në NATO dhe Bashkim Evropian.

Në këto dy vite, Rusia e Vladimir Putinit ka bërë çmos për ta pushtuar përfundimisht Ukrainën, duke mos ia dalë, por ka angazhuar edhe satelitët e saj në Evropë për të mbjellë destabilitet, pasiguri, shpërqëndrim, luftë dhe përçarje. Me një Serbi të gatshme për t’ shtyrë planet e Putinit në rajonin tonë dhe Evropë, mbështetja dhe angazhimi ynë për fitoren e Ukrainës bëhet edhe më kuptimplotë.

Liria e popujve, sovraniteti i vendeve, është goditja më e rëndë ndaj tiranëve dhe tiranive të tyre.

Liri Ukrainës dhe popullit të saj!/Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme