Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca në Ditën e Evropës, ka thënë se rruga e vetme e Kosovës është ajo e Evropës.
“Rruga e Kosovës është vetëm një, është ajo e Evropës, e frymës dhe parimeve të saj dhe çdo propozim tjetër është cënim i saj dhe i këtyre parimeve”, ka shkruar Konjufca.
Ai ka thënë se Kosova është shembull i shkëlqyer i demokracisë dhe vlerave universale të Bashkimit Evropian, me të cilat sipas tij, Kosova synon të jetë sa më e akorduar.
Postimi i tij i plotë nga Glauk Konjufca:
9 maji i vitit 1950 shënon Ditën e Evropës, datën kur Ministri i Jashtëm i Francës, Robert Schuman lexoi atë që u quajt “Deklarata Schuman”, ku ai propozote një treg të përbashkët evropian të qymyrit dhe çelikut, të cilin pas thuajse një viti do ta nënshkruanin Belgjika, Franca, Italia, Luksemburgu, Hollanda dhe Gjermania Perëndimore.
Robert Schuman deklaroi se qëllimi i tij ishte që lufta të bëhej jo vetëm e pamendueshme, nga pikëpamja morale dhe demokratike, por edhe materialisht e pamundur, nga pikëpamja racionale dhe ekonomike. Ai u shpreh po ashtu se aktorët kyç të këtij propozimi për paqe ishin Franca dhe Gjermania Perëndimore, me dy popuj që kishin luftuar ndër shekuj. Paqja e drejtë dhe solide mes vendeve u pa si kushti që e bën të mundur nisjen e një procesi për një Evropë të Bashkuar. Që atëherë, vendet e Evropës nisën të bashkohen rreth atij që më vonë mori emrin Bashkimi Evropian dhe pas 7 fazave të zgjerimit deri më tani, ky proces vazhdon edhe sot.
Që prej momentit të antarësimit vendet e BE-së nuk kanë pasur ndonjë luftë dhe kjo për arsyen se në frymën e Unionit që buron prej “Deklaratës Schuman” zhvillohen jo vetëm rregullat ekonomike të tregut, por edhe kushti i drejtë politik që garanton paqen, jo si parapërgatitje për luftë, por si terreni ku demokracia dhe vlerat universale janë boshti i gjykimit dhe veprimit.
Me siguri mund të themi se nuk do të kishim Bashkim Evropian nëse pas nënshkrimit Gjermania Perëndimore do t’ia kishte me hile Francës apo e anasjellta. U deshën dy palë të barabarta në sinqeritet, me të njëjtin vizion dhe shpresë që të niste procesi, edhe sot në vijim e sipër, i Evropës së Bashkuar.
Dita e Evropës, sidomos në kohën kur po ndodh lufta në Ukrainë, thërret një Evropë që në bazë ka ekonominë, por të asaj natyre që i rri përshtat thellësisë politike dhe linjave të qarta gjeopolitike, pa flirtime me elemente autoritare, që do të rrezonte parimin e demokracisë.
Kosova është sot një shembull i shkëlqyer i demokracisë dhe vlerave universale të Bashkimit Evropian, me të cilat shteti ynë synon të jetë sa më i akorduar, përtej të cilave nuk mund të bëhet lëshim, sepse ekzistenca e tij është e lidhur thelbësisht me të qenit e tij demokraci dhe vend i këtyre vlerave universale.
Rruga e Kosovës është vetëm një, është ajo e Evropës, e frymës dhe parimeve të saj dhe çdo propozim tjetër është cënim i saj dhe i këtyre parimeve.
Rruga e vendeve joanëtare për në BE është njëkohësisht edhe rruga e BE-së drejt idesë së lartë të Evropës së Bashkuar, rruga ku ajo duhet të përmbush vetveten duke takuar vlerat e saj.
Sot festojmë Ditën e Evropës, për një Bashkim Evropian sa më të thellë, që nuk reduktohet në peshë teksa vijon procesin e zgjerimin.
Gëzuar 9 majin, Ditën e Evropës, ditën e aspiratës së lartë të paqes së drejtë, demokracisë dhe vlerave universale! /Arbresh.info/
Parandalohet një rast i kontrabandës në Han të Elezit, vlera...
Policia e rajonit të Ferizajt heq 12 patentë shoferë për një...
KQZ-ja nuk certifikon Listën Serbe për zgjedhjet e 9 shkurti...
Lajçak mesazh fundviti Kosovës dhe Serbisë: Pa normalizim ma...
Milan Radoiçiq e Zvonko Veselinoviq ia mësyjnë ndërtimit të ...
Shqipëria mbyll TikTok-un, për këtë vendim shkruan ‘The Tele...