Google ADS

Konjufca: Qeveria ta udhëheqë dialogun, jo Thaçi

11:59 | 24 Prill 2018
Arbresh.info

Shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së. Glauk Konjufca, ka konsideruar se Qeveria e Kosovës duhet ta udhëheqë dialogun me Serbinë, e jo presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Konjufca në një tryezë të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ku po diskutohet për një konsensus të mundshëm të dialogut, ka thënë se konsensusi duhet të bëhet vetëm për interesa nacionale, por jo për agjenda të interesave të ndryshme.

“Qeveria duhet ta udhëheqë dialogun, jo presidenti. Kuvendi duhet të jetë epiqendra, ku raportohet. Kryeministri nuk po e respekton rezolutën e kuvendit. Shkon e shkruan një rezolutë ku i thotë Thaçit po ta dorëzoj platformën për dialogun”, ka deklaruar Konjufca.

Sipas tij, edhe LVV është që të arrihet një konsensus, porse atëherë kur trajtohet edhe përmbajtja e konsensusit.

“Unë nuk konsideroj që konsensusi është gjëja më e rëndësisme. Konsensusi merr kuptim dhe ka vlerë vetëm kur është për gjëra nacionale. Sa herë që flasim për konsensus duhet ta trajtojmë përmbajtjen e konsensusit. Konsensus për çka? Ne duhet të kemi konsensus për ta mbrojtur interesin shtetëror”, ka theksuar ai.

Konjufca më tej, ka thënë se presidenti Thaçi po do që të merret vesh me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq, që t’i akomodojë interesat e Serbisë.

“Po më duket që presidenti po do të hyjë në këtë fazën që po frikësohem, po do që me Vuçiqin t’i akomodojnë ambiciet shtetërore të Serbisë, që është krijimi i Zajednicës dhe që Kosova-Serbisë t’ia ofrojë një autonomi brenda Kosovës me kufij të qartë. Kështu që mendoj që ne nuk duhet ta pranojmë që ta ndajmë shpalljen nga njohja. Ne duhet të themi kështu: që nëse Serbia do të hyjë në BE, duhet t’i japë diçka Kosovës. Deri tash asgjë nuk i ka dhënë”, ka potencuar ai./Zeri

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme