Konjufca priti në takim raportuesin e ri për Kosovën në PE, bisedojnë edhe për sulmin në Ibër – Lepenc

16:06 | 9 Dhjetor 2024
E.H

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka pritur sot në takim raportuesin e ri për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras.

Pasi e falënderoi për vizitën dhe i uroi suksese sa më të mëdha në detyrën e tij të re, Konjufca u shpreh i bindur se përmes bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Terrasit si Raportues për Kosovën në PE do të ecim së bashku gjithnjë e më pranë qëllimit të integrimit në BE, përcjell Arbresh.info.

“Në këtë takim u diskutua pikërisht rreth kësaj aspirate të Kosovës për integrim që përkon me synimin e zgjerimit nga ana e Bashkimit Evropian. Bashkëbiseduesit u pajtuan se ky interes i përbashkët i një Evrope sa më të fuqishme, unitare e të bashkuar dhe që garantohet nga fondamenti vleror, është një pikëmbërritje që kërkon kontribut dhe angazhim të gjithashëm e nga të gjitha palët, por që mbetet domosdoshmëri sidomos në situatën ku na vendos kërcënimi që vjen nga pushtimi rus në Ukrainë dhe nga influencat e Rusisë në kontinentin tonë”, thuhet në njoftimin për media.

Kryekuvendari e siguroi raportuesin Riho Terras se institucionet e vendit tonë, duke përfshirë edhe Kuvendin e Republikës së Kosovës, do të vazhdojnë punën në adresimin dhe avancimin e çështjeve që kërkon rruga e integrimeve evropiane, por theksoi se kërcënimet e vazhdueshme të ardhura nga Serbia përbëjnë një sfidë të madhe të sigurisë dhe stabilitetit rajonal.

“Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras e falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen. Ai shprehu angazhimin dhe gatishmërinë e tij të plotë për të asistuar Republikën e Kosovës në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Evropian, duke vlerësuar përparimin e deritanishëm që ka bërë vendi ynë, përfshirë edhe përkushtimin ndaj drejtësisë dhe arritjet në luftën kundër korrupsionit. Po ashtu, ai dënoi sulmin në infrastrukturën kritike të Kosovës në kanalin e Ibër-Lepencit, duke thënë se kriminelët duhet të japin llogari përpara drejtësisë”, thuhet tutje në njoftim./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme