Konjufca priti në takim përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar Shqiptar nga Mali i Zi

15:53 | 25 Shkurt 2022
arbresh.info

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim Këshillin Kombëtar Shqiptar të Malit të Zi, i prirë nga kryetari Faik Nika.

Në takim, kryetari Konjufca u shpreh se Republika e Kosovës dhe Mali i Zi kanë raporte të mira fqinjësore dhe tashmë edhe një përcaktim të qartë gjeostrategjik dhe transatlantik.

Zhvillimet e fundit shqetësuese në Ukrainë janë shenjë se ne duhet të forcojmë edhe më shumë bashkëpunimin me njëri-tjetrin, tha kryetari Konjufca.

Përfaqësuesit e komunitetit shqiptar nga Mali i Zi e falënderuan Kryetarin e Kuvendit për pritjen e ngrohtë dhe, ndër të tjera, veçuan nevojën për ngritjen e kuotave për studentët dhe specializantët shqiptar nga Mali i Zi. Ata kërkuan njëherësh edhe përkrahje institucionale për të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi, mbështetje të projekteve të ndryshme kulturore e arsimore, si dhe investime në infrastrukturë në vendbanimet shqiptare.

Kryetari Konjufca dhe përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar Shqiptar u pajtuan për avancimin e bashkëpunimit dhe domosdoshmërinë e përkrahjes së komunitetit shqiptar në Mal të Zi.​/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme