Konjufca priti në takim lamtumirës ambasadorin Minxhozi, e falenderoi për kontributin

20:23 | 24 Tetor 2023
E.G

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, shoqëruar nga shefi i Kabinetit, Ilir Kërçeli, ka pritur sot në takim lamtumirës ambasadorin e deritashëm të Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Në këtë takim të përzemërt, kryetari Konjufca falënderoi ambasadorin Minxhozi për kontributin e jashtëzakonshëm dhe për nivelin e lartë diplomatik të cilin e instaloi, me bindjen se do të jetë shembulli me të cilin do të krahasohet çdo iniciativë dhe përpjekje e ardhshme ndërshtetërore, për vitet që do të vijnë, shkruan Arbresh.info.

Konjufca shprehu gjithashtu mirënjohjen e tij për punën e suksesshme të ambasadorit Minxhozi në drejtim të thellimit të bashkëpunimit të ngushtë mes Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

“Vlerësojmë lart angazhimin tuaj në gjithë këto vite në shërbim të interesit të popullit tonë, duke punuar me devotshmëri për afrimin e vazhdueshëm të raporteve mes institucioneve të dy shteteve tona, në të mirë të qytetarëve dhe aspiratave tona të përbashkëta”, tha kryeparlamentari Konjufca.

Ndërkaq, ambasadori Minxhozi falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen e ngrohtë dhe potencoi rolin e tij në forcimin e bashkëpunimit midis dy parlamenteve.

Bashkëbiseduesit u pajtuan se marrëdhëniet e shteteve tona vëllazërore duhet të jenë të prioritetit më të lartë dhe të një niveli të padiskutueshëm, përbrenda aspiratës së interesave dhe qëllimeve të kombit tone./Arbresh.info/

Të ngjashme