Konjufca priti në takim ambasadorin japonez, flasin për zhvillimet aktuale në vend

17:46 | 2 Tetor 2023
E.G

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim ambasadorin jorezident të Japonisë në Kosovë, Ryuta Mizuuchi.

Në këtë takim,  Konjufca e njohu ambasadorin Mizuuchi me zhvillimet aktuale në Kosovë dhe proceset nëpër të cilat po kalon vendi, përcjell Arbresh.info.

Kreu i Kuvendit foli për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet Kosovës dhe Japonisë dhe shfaqi interesimin për ta thelluar edhe më tej atë, në dobi të interesave reciproke dhe të miqësisë midis dy vendeve.

Tutje, kryeparlamentari konfirmoi mbështetjen e institucioneve vendore sa i përket angazhimeve për rritje edhe më të madhe të investimeve japoneze në Republikën e Kosovës dhe avancimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik.

Po ashtu, Konjufca falënderoi diplomatin japonez për mbështetjen që Japonia i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Kosovës në shumë fusha, duke potencuar rëndësinë që kjo përkrahje të vazhdojë, përfshirë aspiratat për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.

Ambasadori Ryuta Mizuuchi u interesua për zhvillimet aktuale në vendin tonë, ndërsa konfirmoi vazhdimin e mbështetjes së Japonisë për Kosovën edhe në të ardhmen. ​/Arbresh.info

Të ngjashme