Konjufca pret në takim delegacionin e Odës Tregtare të Ankarasë, i inkurajon për investime të kompanive turke

14:21 | 17 Tetor 2023
E.G

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, shoqëruar nga deputetë, anëtarë të Grupit të Miqësisë me Turqinë, priti sot në takim një delegacion nga Oda Tregtare e Ankarasë (ATO), të kryesuar nga presidenti Gursel Baran.

Në takim, ndër të tjera, u bisedua për fuqizimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve, përcjell Arbresh.info.

Konjufca, pasi i njoftoi mysafirët në lidhje me infrastrukturën ligjore dhe mundësitë për investime në Republikën e Kosovës, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit tregtar në fusha me interes për zhvillimin e ekonomisë së vendit dhe shprehu gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin ekonomik me Odën Tregtare të Ankarasë dhe shtetin mik të Turqisë.

Ai po ashtu inkurajoi investimet e kompanive turke në sektorët e ndryshëm të ekonomisë së Kosovës.

Delegacioni turk falënderoi kryeparlamentarin për pritjen e ngrohtë dhe çmoi angazhimin e tij në nxitjen e marrëdhënieve të ndërsjella tregtare.

Kryetari i Kuvendit dhe kryetari i ATO-s, i cili shoqërohej nga nënkryetari, Halil Ibrahim Yilmaz, kryetari i Federatës Shqiptare, Hivzi Krusha, kryetari i Fondacionit Shqiptar për Kërkime Kulturore dhe Edukim i vendeve të Ballkanit dhe deputetë të Ankarasë, shprehën interesimin e dyanshëm për intensifikimin e bashkëpunimit të ndërsjellë të bizneseve me qëllim të avancimit të mëtejshëm të interesave të  përbashkëta ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë.​/Arbresh.info/

 

 

 

Të ngjashme