Konjufca: Përkundër përpjekjeve tona, dhuna me bazë gjinore mbetet sfidë

15:33 | 9 Dhjetor 2024
A Z

Në sallën plenare të Kuvendit sot dominonte ngjyra portokalli. Aty nuk pati seancë plenare, por u mblodhën drejtues institucional legjislativ, ekzekutiv, nga organizatat e shoqërisë civile e aktiviste në kuadër të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, kauzë që bashkoi të gjithë rreth një fronti të përbashkët për t’i thonë boll dhunës.

“Roli i legjislativit në adresimin e dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore”, ishte tema që u diskutua aty.

Secilën nga aktivistet, kryetari i Kuvendit Galuk Kojufca i quajti luftëtare të paepura.

Por, kryekuvendari tha se për fat të keq dhuna me bazë gjinore mbetet një sfidë shumë e madhe e shoqërisë, edhe përkundër përpjekjeve të përbashkëta për luftimin e saj.

“Nuk po flas këtu vetëm për dhunën fizike, por për dhunën e të gjitha formave sepse ky nuk është një fenomen i kufizuar vetëm në këtë lloj dhunë. Dhuna vjen e shprehur edhe si dhunë psikologjike, seksuale e ekonomike e manifestuar në hapësira të ndryshme pa dallime etnie apo të kategorive shoqërore”, tha kryekuvendari.

Konjufca tha se rastet e dhunës ndaj grave viteve fundit janë rritur, ashtu siç tha, është rritur ndjeshëm edhe raportimi i tyre në institucionet e ligjit.

“Kjo tregon se sa e rëndësishme është që çdo grua e vajzë që përjeton çfarëdo lloj dhunë ta raportojë e të kërkojë ndihmën e institucioneve e të marrin ndihmën që e meritojnë”, tha ai.

“Kuvendi pa dyshim që e ka një rol kyç dhe si kryetar i Kuvendit dua të ju siguroj që institucioni ynë i ligjvënies mbetet plotësisht i angazhuar për të adresuar këtë çështje me vendosmëri. Gjatë kësaj legjislature ne kemi miratuar shumë ligje të rëndësishme që synojnë t’i mbrojnë të drejtat e grave dhe sigurinë e tyre. Dua ta përmend nismën ligjore të Kuvendit për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna mbi bazë gjinore”, vijoi tutje Konjufca.

Kryeparlamentari vuri në pah sfidat me të cilat gratë përballen kur ato synojnë të shfrytëzojnë hapësirën në sferën publike.

“Shpesh herë shohim që këto hapësira luftohen nga ana e burrave e që hapësira ngushtohet pa të drejtë dhe këtu kemi të bëjmë vetëm me një formë të kësaj dhune. Pjesëmarrja e grave në jetën publike në përgjithësi, por në politikë bërje në veçanti është thelbësore për shtetin tonë, jo vetëm për mirëmbajtjen e sistemit tonë të qeverisjes, por edhe për hartimin e politikave gjithëpërfshirëse që kontribuojnë në ndërtimin e një shoqërie të barabartë”, tha ai.

E quajti si iniciativë shumë të nevojshme atë të Grupit të Grave Deputete që hartuan deklaratë kundër dhunës ndaj grave në politikë, që tha se është e rëndësishme veçanërisht tani që gara zgjedhore është afër.

Haxhiu: Dhuna në familje nuk është çështje private, vepër penale e dënueshme deri në 3 vjet burgim

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se dhuna në familje nuk është çështje private, duhet të adresohet nga institucionet e Republikës që dhuna në familje është vepër penale e dënueshme deri në 3 vjet burgim.

“Kjo çështje nuk është vetëm një sfidë sociale e morale, por edhe një detyrim ligjor e institucional që përqafon të drejtën e dinjitetin e çdo qytetari. Dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore i bashkëngjitet një realitet që prekë shoqërinë në tërësi, duke cenuar jo vetëm të drejtat themelore të individëve, por edhe zhvillimin e shoqërisë në përgjithësi”, tha ajo.

Tutje, Haxhiu tha se nuk mund të anashkalohet nevoja për ndërgjegjësim të vazhdueshëm.

“Shoqëria jonë duhet të edukojë breza të rinj mbi parimin e barazisë, respektin e solidaritetin. Edukimi është baza për parandalimin e dhunës dhe krijimin e një kulture të tolerancës e barazisë. Për dekada gratë janë përballur me kufizime të shumta që u kanë penguar të arrijnë potencialin e tyre të plotë në politike, ekonomi e shoqëri. Kultura patriarkale e norma tradicionale kanë krijuar barriera të fuqishme duke mbajtur gratë larg pozicioneve të pushtetit, por sot jemi këtu për të dëshmuar se kjo gjendje mund të ndryshojë. Një grua në udhëheqje nuk është vetëm një zë, por një forcë e madhe transformimi”, tha Haxhiu.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme