Konjufca: Nëse Thaçi do Qeveri evropiane, ai dhe Veseli të dorëhiqen

00:48 | 25 Korrik 2017
Trina Galanxhi

Deputeti i zgjedhur i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca ka treguar se gjasat për një koalicion mes LDK-së dhe Vetëvendosjes janë reale.

“Kemi pasur disa takime, kemi pasur disa takime, deri tash ka ndodhur një dakordim që bashkëpunimi të ruhet, e dyta që bashkëpunimi të shkojë drejt harmonizimit të pikave të programit”.

“Unë mendoj që është mirë që është rrëzuar Isa Mustafa dhe Qeveria e tij, ka qenë Qeveri pa rezultate, tërheqja e tij që të mos ishte as pjesë e listës i ka ndihmuar LDK-së dhe bashkëpunimit tonë”.

Konjufca që ishte i ftuar në Ballë për Ballë në Klan Kosova ka thënë se nuk mund të garantojë se LDK-ja nuk do të shkojë në PAN.

“Nuk mund të garantojmë, LDK po e mban qëndrimin e tyre, në vitin 2014 kanë shkuar në fund, shpresoj të mos e bëjnë të njëjtin gabim”.

Ai ka thënë se posti i kryeministrit  duhet t’i takojë Albin Kurtit sepse sipas tij kështu kanë vendosur qytetarët.

“Qytetarët kanë vendosur për Albin Kurtin, është më i votuari në Kosovë, atyre që nuk ju pëlqen Kurti personalisht, duhet të japin argumente se pse njeriu më  i votuar në Kosovë nuk duhet të jetë kryeministri i Ksoovës”.

Konjufca ka komentuar edhe deklaratën e sotme të presidentit të vendit që duhet të krijohet një Qeveri me parime evropiane.

“Me parime evropiane i bie që nuk do të jetë një Qeveri që përmbyllë me presion politik aktakuza në gjyqësor, nuk do të jetë një president që është president i partisë së vet, e jo i Republikës”.

“Nuk është qeveri që ka afera të korrupsionit dhe ka të përfshirë deputetët që janë përgjegjës të drejtpërdrejtë në aferat e korrupsionit”.

“Nëse po thotë që duhet të ketë një Qeveri e tillë ai dhe Veseli duhet të japin dorëheqje. Një Qeveri e tillë evropiane nuk mund të udhëhiqet nga Ramush Haradinaj e as nga PDK-ja po nga Vetëvendosja”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme