Google ADS

Konjufca në pritjen e Ambasadës së Suedisë: Me popullin suedez ndajmë vlerat e përbashkëta të dritës, shpresës dhe solidaritetit

22:59 | 12 Dhjetor 2024
K.B

Në Ambasadën e Suedisë në Prishtinë me rastin e Ditës së Shën Luçisë, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, tha se Suedia ka qenë prej kohësh mike dhe partnere e Kosovës, miqësi dhe mbështetje kjo të cilën vendi ynë e vlerëson lart.

Në prani të ambasadorit Jonas Westerlund, korit diplomatik të akredituar në Prishtinë, përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës dhe mysafirëve të shumtë, kryetari i Kuvendit tha se ndihet thellësisht i nderuar dhe i lumtur që gjendet në njërën nga festat më të dashura dhe simbolike të Suedisë, Ditën e Shën Luçisë.

“Jam i kënaqur që pavarësisht nga kulturat dhe traditat tona shumë të ndryshme, kjo ditë na bashkon të gjithëve pasi ndajmë vlerat e përbashkëta të dritës, shpresës dhe solidaritetit, të cilat të gjitha janë tema qendrore në kremtimin e Shën Luçisë. Ndërsa nderojmë traditat e pasura suedeze të Ditës së Shën Luçisë, le të marrim një moment për të vlerësuar ndjenjën e unitetit dhe solidaritetit që ushqejnë festime të tilla. Këto janë vlera që i kapërcejnë kufijtë dhe na afrojnë të gjithëve dhe është një mundësi për të riafirmuar angazhimin tonë për të ndërtuar një të ardhme më të ndritshme për të gjithë”, theksoi Konjufca.

Kryetari i Kuvendit vlerësoi lart mbështetjen që Suedia i ka dhënë Kosovës në të gjitha fazat e procesit të shtetndërtimit, veçanërisht gjatë periudhave sfiduese të historisë sonë.

“Ne vlerësojmë thellësisht partneritetin tonë dhe presim me padurim të vazhdojmë përpjekjet tona të përbashkëta për prosperitet dhe paqe të ndërsjellë”, theksoi Konjufca.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme