Konjufca dhe homologu i tij estonez u pajtuan për thellimin e raporteve midis dy vendeve

14:40 | 5 Shkurt 2024
E.G

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, po qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Estonisë.

Në fillim të vizitës, Konjufca, i shoqëruar nga shefi i Kabinetit, Ilir Kërçeli dhe këshilltari Donik Sallova, u prit në takim nga Kryetari i Parlamentit të Republikës së Estonisë, Lauri Hussar.

Kryetari Konjufca i shprehu homologut estonez mirënjohjen për mbështetjen që Estonia i ka ofruar Republikës së Kosovës në aspektin ndërkombëtar dhe sfidat rajonale. Kreu i Kuvendit tha se me Estoninë, Kosovën e bashkon partneriteti strategjik, interesat e përbashkët në shumë sfera, bashkëpunimi i vazhdueshëm, vlerat dhe aspiratat e demokracisë.

Kryetari i Riigikogut të Estonisë, Hussar, konfirmoi se mbështetja e shtetit të tij për Kosovën do të vazhdojë edhe në të ardhmen, sikundër edhe bashkëpunimi në shumë sfera të interesit reciprok.

Bashkëbiseduesit u pajtuan për nevojën e thellimit të mëtejmë të raporteve midis dy vendeve, nëpërmjet shkëmbimit të përvojave parlamentare, investimeve ekonomike, angazhimit për transformime digjitale, bashkëpunimit në lidhje me sfidat e sigurisë dhe në çdo fushë të interesit të përbashkët.

Në këtë takim të ngrohtë e miqësor Kryetarët Konjufca dhe Hussar diskutuan edhe për situatën politike në Kosovë dhe Estoni, duke theksuar se përveç interesave, të dy shtetet ndajnë edhe rrezikun e një Rusie në kërkim të destabilitetit.

“Aleanca e vendeve demokratike është përgjigjja e vetme ndaj kërcënimit rus, aleatëve dhe satelitëve të saj, ndërsa vendosmëria jonë në vlerat e demokracisë është garancia e palëkundur e të ardhmes së përbashkët të paqes dhe përparimit”, u potencua në takim./Arbresh.info/

Të ngjashme