Konjufca dënon dhunën në veri, bënë thirrje që të nisin hetimet për kryesit e aktit

21:21 | 29 Maj 2023
E.H

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka dënuar ashpër dhunën ndaj KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve në veri nga protestuesit serb.

Përmes një postimi në Facebook, Konjufca ka shprehur solidaritetin personal dhe institucional për 25 ushtarët e KFOR-it që mbeten të plagosur në veri.

“Dënoj ashpër dhunën e bandave të organizuara kriminale serbe ndaj trupave të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve në terren! Shpreh solidaritetin tim personal dhe institucional për 25 ushtarët e plagosur të misionit paqeruajtës dhe uroj shërim sa më të shpejtë!”, ka shkruar Konjufca.

“Pjesëmarrja e njerëzve të maskuar në atë që u prezantua si protestë, shpërfaqja e simbole të luftërave gjenocidale serbe dhe pushtimit rus në Ukrainë, sulmet ndaj gazetarëve dhe mediave, përdorimi i mjeteve dhe dhunës së rëndë ndaj trupave të ruajtjes së rendit, tregojnë atë që tashmë dihej: synimin për ta mbajtur të shkëputur pjesën veriore të vendit tonë nga çdo prekje e ligjit dhe rendit që disponon Republika e Kosovës”, shkroi Konjufca.

Gjithashtu, Konjufca u ka bërë thirrje organeve kompetente të drejtësisë që të nisin hetimet ndaj atyre që i bënë këto akte të dhunshme ndaj trupave të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve të terrenit.

“Ndërkohë, shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje ambasadave të vendeve mike ta dënojnë ashpër dhunën e strukturave kriminale, të cilat haptazi janë të mbështetura nga presidenti serb, Aleksander Vuçiq dhe që synojnë destabilizimin e vendit tonë! Gjithashtu, i bëj thirrje organeve kompetente të drejtësisë që të nisin hetimet ndaj atyre që i bënë këto akte të dhunshme ndaj trupave të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve të terrenit! Është koha që dhunës t’i përgjigjemi me një zë të përbashkët. Ajo nuk mund të tolerohet!” tha në fund kryeparlamentari Konjufca./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme