Sot, në 24-vjetorin e masakrës së Rezallës, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, bëri homazhe dhe vendosi lule në kompleksin memorial, në nderim të të vrarëve në këtë masakër nga regjimi gjenocidal i Serbisë.
Konjufca e konsideroi masakrën e Rezallës njërën prej akteve më gjenocidale që ka bërë Serbia në Kosovë.
Ai tha se kjo masakër, së bashku me të gjitha masakrat e kryera prej aparatit shtetëror dhe ushtarak të Serbisë, e përbëjnë gjenocidin që ky shtet e ka ushtruar mbi popullin e Kosovës.
Kreu i Kuvendit tha se të gjitha këto nderime po bëhen në kohën kur nuk është Serbia ajo e cila po gjykohet, për ta marrë dënimin e merituar, me të gjithë ata kriminelë lufte që i mban brenda, por është pikërisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe pjesëtarët e saj, vetë Kosova e ulur në bankën e drejtësisë.
“Kjo nuk mund të përjetohet ndryshe përveçse si një padrejtësi. Në vitet 1998-1999, teksa populli po përjetonte gjithë atë gjenocid, vuajtje e masakra, askush nuk ka menduar që 24 vite pas do të ishim ne ata që do të duhej të arsyetojmë se nuk ishim kriminelët dhe agresori, por ishte Serbia me të gjithë ata ushtarë e policë, të cilët vranë njerëz të pafajshëm, pleq, gra e fëmijë, pa i kursyer, vetëm pse ishin shqiptarë. Prandaj, ne vazhdimisht do t’i kujtojmë ata që kanë rënë për Kosovën dhe për lirinë tonë mirëpo, siç po shihet, liria ende nuk është përmbushur sepse po i ka sfidat e veta, e njëra ndër to është edhe ajo me të cilën po përballemi në Hagë”, theksoi Konjufca.
Duke u përgjigjur në interesimin e gazetarëve lidhur me marrëveshjet me Serbinë, kryetari Konjufca tha se sipas informacionit që posedon, termi “të zhdukurit me dhunë” do të përdoret në marrëveshje, ashtu siç përdoret nëpër konventat ndërkombëtare.
“Kosova e ka arritur këtë. Serbia gjithmonë është përpjekur të përdorë një terminologji tjetër për t’i ikur përgjegjësisë që e ka për të gjithë ata që janë të zhdukur me dhunë. Sepse, kur të thuash ‘të zhdukurit me dhunë’, do të thotë se ata i ka zhdukur dikush. E kjo është Serbia me aparatin e saj shtetëror, policinë, ushtrinë dhe organet e tjera shtetërore”, tha Konjufca./Arbresh.info/
Osmani takoi Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, fl...
Kumbaro publikon fotografi unike: Lezeti i këtyre ditëve në ...
Presidenti ukrainas bën thirrje për forcimin e mbrojtjes ajr...
Haradinaj takon qytetarët në Istog, premton investime të shu...
Hamza takohet me Xhakën, e quan kampion dhe shembull për të ...
Prishtina dhe Ballkani ndajnë pikët në kryederbin e fundjavë...