Konjufca: BE-ja nuk e përmbushi premtimin për liberalizimin e vizave

23:27 | 4 Nëntor 2021
L G

Komisioni Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE – Kosovë, mbajti sot takimin shtatë me radhë.

Nën udhëheqjen e përbashkët të Mimoza Kusari-Lila, kryetare e delegacionit të Kosovës, si dhe Romeo Franz, kryetar i delegacionit të PE-së, Komisioni

Parlamentar për Stabilizim Asociimi, pas dy vitesh, mbajti sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës takimin e radhës, shkruan arbresh.info.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, shpalosi gjendjen aktuale të raporteve në mes të Kosovës dhe BE-së.

Duke trajtuar kronologjikisht procesin dhe hapat që Kosova ka ndërmarrë drejt arritjes së objektivave që ndikojnë direkt në integrimin evropian, Konjufca shprehu gatishmërinë e plotë të Kuvendit për të shtyrë përpara të gjitha çështjet që lidhen me këtë proces.

Ai po ashtu tregoi se ka pasur edhe ngecje në zbatimin e plotë të objektivave të marrëveshjeve të arritura deri më tash, për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe mungesës së stabilitetit të skenës politike në Kosovë.

Konjufca theksoi se Kosova tashmë ka hyrë në fazën e mesme të periudhës kohore të zbatimit të MSA-së, por arritja e objektivave që burojnë nga kjo marrëveshje, sipas tij, kërkon ende shumë punë.

Duke folur lidhur me procesin e integrimit evropian, kryetari i Kuvendit të Kosovës tha se pika më kritike e kredibilitetit aktual të BE-së ka të bëjë me strategjinë e zgjerimit. Ai nënvizoi se sa më shumë që zgjerimi iu ka afruar Ballkanit, aq më shumë është ngadalësuar ai.

“U bënë tetë vite nga koha kur shteti i fundit iu bashkua BEsë. Nuk mbaj mend këtë dekadën e fundit që koncepti i zgjerimit të ketë qenë në krizë më të thellë se sot. Mungesa e një vizioni të guximshëm e të qartë po i prodhon dy pasoja të rrezikshme këto vitet e fundit. Së pari krijimin e një hapësire për projektet alternative që vijnë nga bota jodemokratike si Rusia e Kina. Dhe së dyti, fuqizimin e liderëve euroskeptikë në rajon, të cilët BE-në e shohin si projekt pa perspektivë dhe ngarendin ta përmbyllin agjendën e tyre etno-nacionaliste siç po e shohim këto ditë në Bosnje dhe Hercegovinë”, theksoi kryetari Konjufca.

Ndër të tjera, kryetari Konjufca shpalosi edhe qëndrimet e tij lidhur me mos liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, duke përmendur se BE-ja nuk e ka përmbushur premtimin e dhënë dhe se pikërisht kjo dëmton kredibilitetin e insitucioneve evropiane në sytë e qytetarëve të izoluar.

“Republika e Kosovës është fuqishëm e përcaktuar për BE-në dhe ne nuk kemi projekt tjetër alternativë. Ne as nuk e shantazhojmë BE-në, as nuk e përgjërojmë. Ne duam ta meritojmë atë, me punë, me reforma dhe angazhim konkret për drejtësi dhe barazi”, tha gjatë fjalës së tij kryetari Konjufca./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme