Delegacioni i Republikës së Kosovës, në krye me Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, po vazhdon vizitën zyrtare në Këshillin e Evropës (KiE), në Strasburg të Francës.
Në ditën e dytë të vizitës, Kryetari Konjufca dhe delegacioni i Kosovës kanë marrë pjesë në një seri takimesh të rëndësishme me përfaqësues të KiE-së. Këto takime kanë ofruar një platformë të vlefshme për të lobuar për anëtarësimin sa më të shpejtë të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.
Një nga takimet kyçe të zhvilluara sot ishte me Presidentin e sapozgjedhur të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), Theodoros Roussopoulos dhe Sekretaren e Përgjithshme të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKiE), Despina Chatzivassiliou.
Gjatë takimit Kryetari Konjufca shprehu falënderimin e tij për pritjen e ngrohtë dhe e uroi z.Roussopoulos për emërimin e tij. Ai shprehu urimet më të sinqerta për suksesin e tij në detyrën e Presidentit dhe theksoi dëshirën për bashkëpunim të ngushtë dhe të frytshëm në të ardhmen.
Gjithashtu, Kryetari Konjufca dhe delegacioni i Kosovës përmendën të arriturat në reformën e drejtësisë, masat kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave. Ata theksuan rëndësinë e përpjekjeve të vazhdueshme për të përmirësuar pavarësinë e sistemit gjyqësor, për të luftuar korrupsionin dhe për të promovuar përfshirjen dhe barazinë për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Kryetari Konjufca u takua edhe me Davor Ivo Stier, Kryetar i ri i Grupit të Partisë Popullore Evropiane (EPP), me të cilin pati diskutime të frytshme për rëndësinë e integrimit të Kosovës në strukturat e KiE-së dhe kontributin e saj në stabilitetin dhe prosperitetin rajonal.
Po ashtu, Kryetari i Kuvendit zhvilloi një takim me Azadeh Rojhan, raportuese për Kosovën në Komisionin për Çështje Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut, si dhe Oleksiy Goncharenko, përfaqësues i Grupit të Konservatorëve Evropianë dhe Aleancës Demokratike. Në këto takime u shkëmbyen pikëpamjet për situatën ligjore dhe të të drejtave të njeriut në Kosovë dhe u theksua përkushtimi i institucioneve të vendit për përparimin e mëtejshëm.
Në vazhdim, kryetari Konjufca pati edhe një takim produktiv me delegacionin kombëtar të Italisë, duke theksuar rëndësinë e marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Italisë në kuadër të procesit të anëtarësimit në KiE.
Vizita zyrtare në Këshillin e Evropës u përmbyll me takimin me znj.Dominique Hasler, Ministre e Punëve të Jashtme, Arsimit dhe Sportit të Lihtenshtajnit dhe kryetare e Komitetit të Ministrave. Ky takim forcoi edhe më tej lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Lihtenshtajnit dhe nënvizoi përkushtimin për bashkëpunim shumëpalësh në kuadër të KiE.
Kryetari Glauk Konjufca theksoi se anëtarësimi i Republikës së Kosovës sivjet do të ishte një simbolikë domethënëse me rastin e 75-vjetorit të themelimit të kësaj organizate, shënimi i së cilës do të bëhet nën Presidencën e Lihtenshtajnit./Arbresh.info
Sekretet e mbijetesës në orbitë
”Google” shton rregullat, kontrolle kundër falsifikimeve dhe...
Kur barnat kundër dhimbjeve fillojnë të ndikojnë?
Consumer Reports zbulon dhjetë veturat më të mira dhe më të ...
10 këshilla që fëmija juaj të krijojë zakone të shëndetshme ...
Ekspozimi ndaj dritës blu gjatë natës rrit rrezikun e zhvill...