Google ADS

Konfirmohet aktakuza ndaj ish-zëvendësministrit të MPMS-së, akuzohet se keqpërdori mbi 12 mijë euro

17:56 | 28 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Gjykata Themelore në Prishtinë, të enjten, ka konfirmuar aktakuzën ndaj ish-zëvendësministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Qazim Rrahmani, i cili po akuzohet për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Rrahmani në seancën e së enjtes, nëpërmjet mbrojtësit të tij, avokatit Jusuf Bytyqi, ka paraqitur në gjykatë kundërshtimet e tij ndaj aktakuzës dhe provave me të cilat prokuroria pretendon se ish-zëvendësministri ka përfituar jashtëligjshëm mbi 12 mijë euro.

Kërkesën për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave e refuzoi kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Naser Foniqi, i cili deklaroi se kundërshtimet e mbrojtjes nuk kanë ofruar prova të mjaftueshme në mënyrë që të hedhet aktakuza e prokurorisë.

“Refuzohet si e pabazuar kërkesat e mbrojtjes, e datës 28.12.2017, kundër aktakuzës, sepse nuk janë ofruar prova të mjaftueshme për ta hedhë aktakuzën”, ka deklaruar gjykatësi Foniqi.

Paraprakisht prokurorja Dulina Hamiti, i kërkoi gjykatës që të refuzohen kundërshtimet që i ka paraqitur i akuzuari dhe mbrojtësi i tij, pasi sipas saj, në to nuk është paraqitur asnjë provë.

“Konsiderojmë se kërkesa për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave nuk është e mbështetur në asnjë provë të vetme, konsiderojmë që aktakuza e ngritur nga prokuroria është e mbështetur në prova të mjaftueshme dhe të ligjshme të cilat i kemi propozuar me aktakuzë, që do të administrohen gjatë shqyrtimit gjyqësor. I propozojmë gjykatës që këto kundërshtime të refuzoj si të pa bazuara”, tha prokurorja Hamiti.

Gjykatësi Foniqi, tha se nëse vendimi për hedhjen e aktakuzës e fiton formën e prerë, kurse shqyrtimi gjyqësor do të mbahet më 2 mars 2018, në ora 13:10.

Në bazë të aktakuzës, Qazim Rrahmani, gjatë kohës në të cilën ka ushtruar pozitën e zëvendësministrit në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, duke e shfrytëzuar këtë pozitë ka tejkaluar kompetencat e tij ligjore në mënyrë që t’i sjellë vetës përfitim pasuror.

Prokuroria pretendon se Rrahmani, gjatë periudhës qershor 2015 e deri në janar 2016, nga kartela bankare, zyrtare, e destinuar për udhëtime jashtë vendit, ka nxjerrë shumën prej 12.363.40 euro, pa pasur aprovim për udhëtime zyrtare.

Gjithnjë sipas aktakuzës, nga shuma e përgjithshme e cila ishte tërhequr, MPMS-së, Rrahmani ia ka kthyer 7.504.51 euro, ndërsa dëmi aktual ndaj MPMS-së arrin vlerën prej 4.858.89 euro./Betimiperdrejtesi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme