Udhëheqës politikë dhe ushtarakë nga e gjithë bota shkojnë në Gjermani për Konferencën treditore të Sigurisë së Munihut që hapet sot.
Nga Irani në Hong Kong, nga Ukraina në Libi, sfidat e sigurisë janë të shumta dhe këto konflikte ndodhin në kushtet e koronavirusit dhe emergjencës së klimës globale.
Shtetet e Bashkuara po dërgojnë një delegacion të madh në Munih, përfshirë Sekretarin e Mbrojtjes Mark Esper dhe Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo, një sinjal se Uashingtoni do që t’i kundërshtojë akuzat se po tërhiqet nga angazhimi, thotë analistja Elisabeth Braw e Institutit Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara.
“Aktualisht Shtetet e Bashkuara po fillojnë stërvitjen më të madhe ushtarake amerikane në Evropë që prej një çerek shekulli. Duhet ta kemi këtë parasysh kur flasim për distancimin e Shteteve të Bashkuara nga Evropa”, thotë ajo.
Përplasja më e madhe e Uashingtonit në Munih ka mundësi që të jetë me Iranin, pasi Shtetet e Bashkuara vranë gjeneralin iranian Qassem Soleimani në fillim të këtij viti, që u pasuan nga goditjet iraniane ndaj bazave ushtarake në shenjë hakmarrjeje, që arritën kulmin me rrëzimin aksidental të avionit ukrainas nga ushtria iraniane.
Por drejtuesi i konferencës, Wolfgang Ischinger shpreson që konferenca të ofrojë një shans për marrëveshjen bërthamore me Iranin.
“Në mënyrë që ta ruajmë përmes negociatave për sistemet balistike, arkitekturës rajonale të sigurisë, luftës kundër terrorizmit. A mundet Irani të ndalë mbështetjen ndaj Hezbollahut? Pyetje të tilla”, thotë zoti Ischinger.
Vrasja e Soleimanit në territorin irakian, solli si rezultat reagimin e Bagdadit dhe një votim në parlamentin irakian për të dëbuar 5 mijë trupat amerikane në vend.
NATO-ja po diskuton mundësinë e marrjes nën kontroll të misionit të trajnimit të forcave irakiane që po luftojnë me Shtetin Islamik, gjë që është mirëpritur nga Sekretari i Mbrojtjes Mark Esper që foli me gazetarët, gjatë udhëtimit për në Evropë.
“Nëse NATO-ja mund të kompensojë për praninë amerikane, që të na lejojë me kalimin e kohës të kthejmë disa nga forcat”, tha ai.
Konflikti në Siri vazhdon të destabilizojë rajonin e Lindjes së Mesme, dhe Ankaraja po paralajmëron hakmarrje kundër Damaskut për vdekjen e ushtarëve turq në përplasjet e kësaj jave.
Edhe lufta në Libi është në krye të agjendës evropiane.
Siç shkruan Zëri i Amerikës, ka shpresa që bisedimet e paqes mund të jenë duke përparuar në Afganistan, me njoftimet se Shtetet e Bashkuara dhe Talebanët mund të jenë pranë një marrëveshjeje.
Ministri i Jashtëm i Kinës do të marrë pjesë në konferencë mes alarmit për koronavirusin, protestave pro-demokracisë në Hong Kong dhe përpjekjeve amerikane për të bllokuar firmën kineze, Huawei.
Ndërkohë mbështetja e Rusisë për forcat rebele në Ukrainën lindore vazhdon të acarojë tensionet me Evropën. Franca së fundmi ka bërë thirrje për t’u riangazhuar me Moskën.
“Shumë vende të Evropës Qendrore dhe Lindore, do të shqetësoheshin”, thotë zonja Braw.
Ndërsa rriten tensionet globale, udhëheqës nga e gjithë bota do të mblidhen në një hotel në qendër të Munihut, për tri ditë debatesh të forta, transmeton Klan Kosova.
Nën kërcënimin e thikës, hajnat vjedhin para në një market n...
Arrestohet pjesëtari i policisë në Ranillukë, dyshohet se u ...
Aksident me 7 persona të lënduar në Maliq të Shqipërisë
Haradinaj sot shpalos programin e partisë para diasporës në ...
Nesër vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Eksperti i gjuhës së trupit tregon momentin e saktë kur duel...