Komunave u Bien për 11 Për Qind të Hyrat nga Taksa e Pronës

14:50 | 14 Prill 2018
V. S.

Komunat kanë rënie të arkëtimit të taksës në pronë për 11 për qind.

Ministria e Financave ka përgatitur “Raportin Vjetor Financiar për vitin 2017”, ndërsa bazuar në këtë raport, Gazeta Jeta në Kosovë ka analizuar grumbullimin e të hyrave të komunave nga taksa e pronës.

Në bazë të analizës rezulton se komunat e Kosovës patën rënie të grumbullimit të këtij lloji të të hyrave rreth 11 për qind, edhe më shqetësues është fakti se disa nga komunat shënuan vlerën më të ulët të të hyrave në tre vjetët e fundit.

Nga taksat komunale në pronë, komunat e Kosovës në vitin që lamë pas grumbulluan 22.4 milionë euro që paraqet një rënie prej 11 për qind.

Komunat e mëdha dhe ato të vogla

Komunat më të mëdha mund të kenë të hyra më të mëdha nga taksa në pronë, përderisa ato të vogla mund të realizojnë të ardhura më të vogla nga kjo lloj takse.

Janë gjashtë komuna të Kosovës të cilat grumbullojnë miliona euro të hyra nga kjo taksë. Në vitin 2017,Komuna e Prishtinës grumbulloi 6.9 milionë euro, pastaj Komuna e Prizrenit 2.06 milionë euro, Komuna e Ferizajt 1.5 milionë euro dhe komunat e Gjilanit, Gjakovës, Pejës grumbulluan nga 1.4 milionë euro të hyra në 2017-ën.

Në anën tjetër, komunat më të vogla të cilat grumbulluan më pak të hyra nga taksa e pronës janë komuna: Partesh  me 12 mijë euro, Mamushë me 19 mijë euro, Ranillug me 25 mijë euro duke u renditur më pas kështu edhe komunat si Junik, Kllokot, Novoberdë, dhe Hani i Elezit, të hyrat e të cilave sillen prej 40 mijë deri në 80 mijë euro, raporton kallxo.com.

Të Hyrat e Komunave nga Tatimi në Pronë

Pjesa dërrmuese e komunave të Kosovës të paraqitura në këtë raport të ministrisë, patën rënie të grumbullimit të të hyrave nga taksa komunale e pronës.

Këto komuna mblodhën 22 milionë e 407 mijë euro taksë pronësore përderisa në 2016-ën grumbulluan 25 milionë e 128 mijë euro që paraqet një rënie prej 11 për qind, apo shprehur në vlerë mbi 2.7 milionë euro të pak të hyra të grumbulluara në 2017-ën.

Në përjashtim me pjesën më të madhe të komunave të cilat të hyrat i kishin me rënie, komunat:  Obiliq, Graçanicë, Dragash patën një rritje të lehtë apo ishin në nivelin pothuajse të njëjtë me një vit më parë në lidhje me të hyrat nga kjo taksë.

Komunat- punët më keq në tre vjetët e fundit

Përveç nivelit të përgjithshëm ku të hyrat e komunave nga tarifa në pronë ishin më rënie, edhe më shqetësues është fakti që disa komuna shënuan vlerën më të ulët të të hyrave në tre vjetët të fundit.

Shtimja me të hyra prej 122 mijë eurove, Rahoveci me 303 mijë, Mamusha me 19 mijë, Deçani me 180 mijë, Vitia me 292 mijë dhe Ranilluku me 25 mijë, janë gjashtë komunat që patën vlerën më të ulët të të hyrave./kallxo.com/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme