Google ADS

Komunat kanë paguar afër 42 milion euro si pasojë e vendimeve gjyqësore gjatë tri viteve të fundit

12:26 | 3 Korrik 2020
A. B.

Lëvizja FOL ka mbajtur sot konferencë për media, me ç’rast ka publikuar raportin “Pagesat e Vendimeve Gjyqësore nga Komunat – Vitet 2017, 2018, 2019”.

FOL me mbështetjen e grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë, përgjatë një viti ka bërë monitorimin e pagesave nga ana e 38 Komunave të Republikës së Kosovës si rezultat i vendimeve të gjykatave. Elbasan Racaj, nga Lëvizja FOL tha se periudha e monitorimit të këtyre pagesave ka përfshirë vitet 2017, 2018 dhe 2019. “Të dhënat mbi pagesat e Komunave për vitet 2017 dhe 2018 janë marrë nga raportet financiare të komunave dhe nga raportet e Zyrës së Auditorit dhe janë bazuar në përgjigjen e Komunave ndaj kërkesave për qasje në dokumente publike”, tha Racaj. Përveç monitorimit të këtyre shpenzimeve, FOL gjithashtu ka bërë edhe krahasimin me buxhetet fillestare të komunave.

Gjetjet nga ky monitorim tregojnë se vetëm gjatë vitit 2019 Komunat kanë pasur 3115 lëndë në gjykata si rezultat i të cilave kanë paguar 15,966,933.45€. Gjatë vitit 2019 pagesa janë bërë nga pesë kategori ekonomike: 1. Investimet Kapitale; 2. Mallrat dhe Shërbimet; 3. Shpenzimet Komunale; 4. Paga dhe Mëditje; dhe 5. Subvencione dhe Transfere. Pagesat më të larta gjatë këtij viti kanë ndodhur nga kategoria ekonomike e Investimeve Kapitale në shumën prej 10,588,554.82€, me kategorinë ekonomike të Mallrave dhe Shërbimeve nga ku janë paguar 4,033,909.66€ dhe në kategorinë ekonomike të Shpenzimeve Komunale nga ku janë paguar 865,906.06€. Pagesat më të ulëta kanë ndodhur nga kategoria ekonomike e Pagave dhe Mëditjeve në shumën prej 397,334.55€, kurse nga kategoria ekonomike e Subvencioneve dhe Transfereve ka pasur pagesa prej 81,228.36€.

“Gjatë vitit fiskal 2017 Komunat kanë paguar shumën prej 9,565,608.55€ apo 2.12 përqind të buxheteve të tyre fillestare. E njëjta shumë e paguar, kur e krahasojmë me realizimin e të hyrave vetanake të të gjitha Komunave për vitin 2017, arrin në 12.24 përqind. Ndërkaq, gjatë vitit 2018 Komunat kanë paguar gjithsej shumën prej 16,425,330.43€ apo 3.29 përqind të buxheteve të tyre fillestare. Krahasuar me të hyrat vetanake për vitin 2018 shuma e paguar nga Komunat si rezultat i vendimeve të gjykatave arrin në 20.20 përqind”, deklaroi Racaj, duke shtuar se pagat jubilare dhe mospërmbushja e kontratave janë ndër shkaktarët kryesor të këtyre miliona eurove që komunat humbin si pasojë e vendimeve të gjykatave. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme