Kanë kaluar gati tre muaj nga vendosja e kioskave për librashitësit ambulantë në kryeqytet, dhe Komuna e Prishtinës ende nuk e ka bërë hapin e radhës për finalizimin e projektit. Shitësit ambulantë ka kohë që presin përgjigje, dhe përveç tjerash kanë frikë se ndokush mund të vijë dhe t’ua zë vendin në kioskë.
Shitësit ambulantë të librave në Prishtinë vazhdojnë aktivitetin e tyre në sheshet e kryeqytetit, derisa kioskat e komunës qëndrojnë pa u shfrytëzuar – shumë afër këndeve të tyre të shitjeve.
Më 24 prill të këtij viti, Komuna e Prishtinës vendosi në sheshet e qytetit “Nënë Tereza” dhe “Zahir Pajaziti”, kioskat për librashitësit ambulantë të kryeqytetit. E gati tre muaj më vonë, komuna nuk ka hapur konkurs për dhënien në shfrytëzim të këtyre kioskave.
Një projekt i tillë i kishte dështuar Komunës së Prishtinës në vitin 2014, kur disa kioska të vendosura nuk ishin dhënë në shfrytëzim të librashitësve.
E kësaj radhe, komuna ka bërë të ditur se konkursi do të hapet më së largu javën e ardhshme.
“Hyjnë në përdorim kioskat por janë duke u bërë kriteret. Është duke u hartuar konkursi edhe duan ta bëjnë sa më të pavarur, me qenë kriteret që nuk e diskriminojnë askënd”, ka thënë zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Fitore Pacolli, për Insajderin.
Pacolli ka thënë se tetë kioskat do të hyjnë në përdorim posa të përfundojnë konkursi dhe përzgjedhja, proces ky që do të marrë edhe dy javë të tjera. Sipas saj, kioskat do të jenë të zbrazëta edhe për tri javë të tjera.
Por, këtë gjë të ngjashme zyrtarët e kanë thënë edhe gati një muaj më parë, por konkursi nuk ishte hapur.
Vonesën dhe premtimet e zbrazëta i përmendin edhe vetë shitësit e librave, të cilët kanë shkuar me dhjetëra herë në komunë për të marrë përgjigje.
Besian Zeneli, librashitës në Komunën e Prishtinës, thotë që është interesuar dhe dëshiron të fillojë punën në njërën nga kioskat, por përkundër pyetjeve zyrtarët komunalë nuk kanë dhënë përgjigje.
“Kanë thënë hapeni dhe përcilleni faqen e Komunës kur e qesin lajmërimin dhe aplikoni”, ka thënë Zeneli.
Një shqetësim tjetër i shitësve është frika se kioskat mund t’i jepen në shfrytëzim personave të tjerë, duke i lënë ata pa punë.
Librashitësi Mirsad Krasniqi, tregon se janë tamam tetë kioska për tetë shitësit në shesh, por shprehu frikën se “ka fjalë që mund të hyjë dhe dikush tjetër” dhe të ua zërë vendin nga konkursi që do të hapet.
“Edhe pse siç kemi dëgjuar, ne do të kemi përparësi në konkurs. Do të duhet të kishim”, pohon ai.
Ndërsa për madhësinë e kioskave ankohet se janë të vogla, por se këto janë më mirë se sa të qëndrojnë ashtu në tavolina në ambient të jashtëm.
Por njëjtë nuk mendon dhe një shitës tjetër pak më larg tij, i cili shprehu pakënaqësi për sipërfaqën e vogël të kioskave.
“Shumë të vogla kabinat. Çka me ba aty? Dy persona me ardhë aty e me kapë një libër skan si me livritë, a po e sheh?”, thotë ai duke ngritur zërin.
Sa për interesim se kur do të hapen kabinat, ai tha se nuk është interesuar pasi që “edhe me u interesu ata nuk më ngojnë mu”.
Ndërkohë, pak ditë më parë disa kioska kanë filluar punën. Këto janë kioskat e luleve të freskëta me vendndodhje në sheshin “Skënderbeu”./arbresh.info/
Rezultatet e para përfundimtare nga Regjistrimi i Popullsisë...
Kastrati prezanton të dhënat finale të regjistrimit të popul...
Signo kërkon falje publike ndaj Donnarummas, thotë se nuk is...
Aksident trafiku mes dy kamionëve në autostradën Veternik-Br...
Zyrtare: Kosova ka 1,586,659 banorë rezidentë
Ekspertët ndërkombëtarë vlerësojnë procesin e regjistrimit t...