Google ADS

Komuna e Skenderajt themelon 11 komisione për të vlerësuar dëmet

10:09 | 20 Janar 2023
K.B

Duke e parë situatën e krijuar në qytetin e Skenderajt pas reshjeve të mëdha të shiut, të cilat shkaktuan edhe vërshime, është marr vendimi që të themelohen 11 komisione.

Duke iu përgjigjur situatës së krijuar pas të reshurave të pandërprera, që kanë shkaktuar vërshime dhe dëme të konsiderueshme materiale, kryetari i Komunës, Fadil Nura dhe nënkryetari Sami Lushtaku, në takimin e sotëm në orët e hershme të mëngjesit me Bordin e Drejtorëve, kanë marrë vendim që të themelojnë 11 komisione komunale me nga 5 anëtarë secili, të cilët menjëherë do të dalin në teren për të bërë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara.

Për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme të shpallur gjatë ditës së djeshme, si pasojë e situatës që kërkon reagim të menjëhershëm në teren, sot një pjesë e shërbimeve komunale është e pamundur të ofrohen.
Komuna e Skenderajt njofton se nuk do të ketë orar të punës për Ekzekutivin komunal, deri në përfundimin e procesit të vlerësimit të tërësishëm të dëmeve materiale.

Në këtë kuadër, kërkohet nga qytetarët që të ruajnë provat (video-xhirim, fotografi) të dëmeve të pronave të luajtshme dhe të paluajtshme.
Komuna e Skenderajt do të bëjë njoftime të kohëpaskohshme lidhur me situatën në përgjithësi. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme