Komuna e Prishtinës pa zgjidhje për ndriçimin publik, themelon Task Forcën për krizën energjetike

11:55 | 23 Tetor 2022
A Z

Banorët e Prishtinës po vazhdojnë të përballen me shumë probleme.

Një ndër to është edhe mungesa e ndriçimit në disa lagje .

Mos ndriçimi i lagjes po u “kushton”  shumë banorëve të lagjes Emshir në Prishtinë, të cilët punojnë gjatë natës dhe kthimi në shtëpi në orët e vona po u sjell pasiguri, raporton arbresh.info.

Xh.B. banore e lagjes Emshir të Prishtinës nuk e din pse në lagjen e saj nuk ka drita.

Ajo për arbresh.info thotë se punon deri në orën 22:00 të mbrëmjes dhe se ka frikë, pasi që rrugët janë të pandriçuara.

“Punojë deri vonë, po kam frikë kur po kthehem pasi që rrugët po janë krejt në terr. As lëvizje të këmbësorëve nuk ka. Më shumë shoh grupe të qenve endacak që sillen këndej se sa njerëz në atë kohë”, thotë Xh.B qytetare nga Prishtina.

Mirëpo, Komuna Prishtinës deri më tani ende nuk kanë bërë zgjidhje rreth kësaj çështje në disa lagje.

Megjithatë, nga Komuna thonë se kanë në plan një gjë të tillë, teksa premtohet edhe kursim i energjisë.

Kjo komunë tashmë ka themeluar ekipin e Task Forcës për përgjigje ndaj emergjencave lokale në sektorin e energjisë.

“Me vendim të kryetarit të kryeqytetit, Përparim Rama është themeluar ekipi i Task Forcës për përgjigje ndaj emergjencave lokale në sektorin e energjisë. Kryesuese e këtij ekipi është Nënkryetarja e kryeqytetit, Donjeta Sahatçiu, e cila ka iniciuar takimet e para të këtij grupi punues, i cili e ka për detyrë të monitorojë krizën në sektorin e energjisë në territorin e komunës së Prishtinës dhe të propozojë masa e veprime konkrete për përballimin e problemeve që shkakton mungesa e energjisë në institucionet, të cilat janë në menaxhim të Komunës, veçanërisht në shkolla çerdhe dhe Qendra të Mjekësisë Familjare”, u deklaruan për arbresh.info nga komuna e Prishtinës.

Ndërsa, eksperti i energjisë Dardan Abazi thotë se qeveria e nivelit qendror është dashtë më herët të mendojë rreth kësaj çështje, duke shtuar se tash është shumë vonë.

“Thirrjet e ministres janë të pamjaftueshme. Ministria ka qenë shumë e vonë në hartimin e politikave dhe të masave. Vetëm në muajin tetor kanë filluar me disa masa, të cilat janë të pamjaftueshme por mbi të gjitha janë shumë të vona. Prishtina si dhe komunat e tjera mund të riorganizojnë çështjen e shërbimeve në atë mënyrë që disa shërbime të cilat mund të kryhen gjatë ditës të grumbullohen kur ka ndriçim natyral dhe që nuk ka nevojë që të ketë ndriçim tjetër”, ka thënë Abazi.

Rreth këtyre masave vonë ka mbetur edhe komuna e Prishtinës.

“Shumë shpejt Task Forca do ta kontaktojë Zyrën e Kryeministrit për sqarime shtesë dhe kërkesa për mbështetje në realizim të masave të paraqitura në vendim, pastaj do të dal me rekomandimet për masat dhe veprimet konkrete që duhet të merren, si dhe do të caktohet personi përgjegjës për mbikëqyrjen e realizimit të këtyre masave”, thonë nga komuna.

Sipas ekspertit të energjisë Dardan Abazi duhet të bëhet një organizim në mënyrë që të kursehet energjia.

“Gjithashtu organizimi i mësimit të bëhet në mënyrë që të kursehet sa më shumë energjia nëpër shkolla, mund të bëhen masa që kufizojnë ndriçimin publik në zonat që nuk ka trafik. Ne kemi pas rekomanduar disa vite më parë që të ketë ndriçim me senzorë në atë mënyrë kur nuk ka lëvizje të mos ketë nevojë të ketë ndriçim publik. Këto janë masa të cilat është dashtë të zbatohet që nga muajt e kaluar sidomos që nga pranvera e deri më tani do të kishte mundësi për efekt më të madh dhe zbatim të suksesshëm të tyre”, thotë Abazi.

Kujtojmë se kohë më parë ministrja e ekonomisë Artane Rizvanolli ka paralajmëruar se për t’u kursyer energjia elektrike duhet të ndërpritet edhe ndriçimi publik./Vjollca Gajraku/arbresh.info/

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme