Google ADS

Komuna e Prishtinës nxit nxënësit të shfaqin talentin në pikturë

12:28 | 2 Mars 2016
Arbresh.info

Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, ka hapur ekspozitën me temë “7 dhe 8 Marsi”, në Galerinë e Arteve.

Gjatë kësaj ekspozite u shfaqën piktura të punuara nga nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të Prishtinës, prej të cilëve u shpallen edhe fituesit e ekspozitës. Nga piktorët e rinj të shkollave fillore dhe të mesme u shpallën nga tre fitues, prej të cilëve më e vlerësuara nga filloristet ishte Dea Haliti, ndërsa prej shkollave të mesme Sibora Kadriu nga gjimnazi Gjevdet Doda në Prishtinë.

Drejtoresha e Arsimit në komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci tha se kjo ekspozitë është bërë për dy qëllime, që tu jepet hapësirë krijuesve të rinj si dhe të punohet në vetëdijesimin dhe krijimin e një kulture artdashëse.

“Arsyeja se pse po e bëjmë këtë ekspozitë është se pas nënshkrimit të memorandumit që kemi pasur me Galerinë e Arteve të fakultetit të Arteve, të ju mundësohet nxënësve të shkollave të komunës së Prishtinës që të bëjnë një ekspozitë të përbashkët me dy qëllime. E para që tu jepet hapësirë krijuesve të rinj të cilët janë të shumtë në mesin e nxënësve në shkollat tona, dhe e dyta që të punohet në vetëdijesim dhe në krijim të një kulture artdashëse ku nxënësit e të gjitha shkollave do të vizitojnë këtë ekspozitë. Synimi ynë është që kjo të jetë tradicionale, domethënë do të organizohet çdo vit ekspozitë e përbashkët me punime të nxënësve me këto dy qëllime. Ekspozita do të jetë e hapur deri më shtatë mars, sepse është organizuar për nder të 7 dhe 8 marsit, ku nxënësit e të gjitha shkollave do të vizitojnë ekspozitën”, tha Nagavci.

Për ndarjen e çmimeve u përkujdes profesori i fakulteteve të arteve, Genc Rezniqi i cili t ha se janë munduar që në këtë ekspozitë të shpërblejnë edhe punimet më të mira, të cilat janë vlerësuar për nga stilet inventive dhe autentike.

“Ne si komision në përbërje të Suad Rama dhe prof Guri Çavdarbasha, jemi përpjek që të bëjmë një përzgjedhje të punimeve, që siç tha edhe prodekani, gjitha punimet janë më të mira, por kemi provuar punimet më inventive dhe autentike me i zgjedhë, dhe i kemi nda nga tri shpërblime. Tri prej shkollave fillore dhe tri prej të mesmeve. Vendin e parë e ka marrë Dea Haliti, vendin e dytë e ka Leonita Bajrami nga shkolla Gjergj Fishta dhe vendin e tretë e ka Diara Osmani nga shkolla e Besisë. Ndërsa prej shkollave të mesme shpërblehet me vendin e parë Sibora Kadriu, vendi i dytë shkon për Gazmend Ahmetin dhe i treti për Ari Zharkun”, tha Rezniqi.

Nxënësja e shkollës së Mesme “Gjevdet Doda”, Sibora Kadriu e cila fitoi çmimin për pikturën më të mirë nga shkollat e mesme tha se piktura në të cilën ka punuar ka mesazhe që ndërlidhen me dy datat për të cilët edhe është thirrur ekspozita, 7 dhe 8 marsin.

“Këtë vizatim e kam bërë brenda natës, më shumë më ka marrë kohë të mendoj se çka të vizatoj se sa vizatimi sepse e kam bërë shumë shpejt. Në këtë pikturë e kam paraqitur edhe nënën edhe mësuesen, nëna natyrisht e lind dhe e rrit të ardhmen, ndërsa mësuesja edhe pse nxënësin nuk e ka fëmijë të vet, e ndjen si fëmijë të vet, e edukon, e rritë dhe i tregon se çka duhet me ba në të ardhmen. Prandaj e kam bërë edhe si kokë, me ngjyra e kam paraqit çdo send të mirë që ekziston sepse nëna dhe mësuesja janë më të mirat në botë. Kam marrë pjesë edhe në shkollë fillore në gara me profesoreshën Luljeta, vendin e tretë e kam marrë në Itali”, tha ajo.

Prodekani i Fakulteteve të Arteve në Universitetin e Prishtinës, Mehmet Behluli bëri thirrje që artistët e rijnë, prindërit dhe arsimtarët, të bëjnë më shumë për kulturën dhe artin pasi që kjo ndikon edhe në kulturën e popullit. Ai tha se investimet në kulturë janë investime serioze pasi nëse nuk investohet në kulturë, investohet në jo kulturë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme

Foto lajm