Gjykata Kushtetuese ka vendosur në favor të Komunës së Prishtinës, lidhur me dy vendime të ndara të Kuvendit të Komunës së Prishtinës, ku ishte miratuar propozimi i kryetarit të Komunës për këmbimin e pronës së paluajtshme komunale me pronë të paluajtshme në pronësi të personave privat, me qëllim të realizimit të planit rregullues “Prishtina e re – Lindje”, me destinim për ndërtim të shkollës, kopshtit dhe hapësirave gjelbëruese.
Aktgjykimi konstaton që përmes pezullimit të vendimeve të Komunës së Prishtinës, përmes akteve të kontestuara, MAPL dhe MINT, nuk kanë ushtruar kompetencën e kontrollit administrativ në përputhshmëri me dispozitat e Kushtetutës, Kartës Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale dhe ligjit të aplikueshëm.
Njoftim i plotë i Gjykatës Kushtetuese:
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar Aktgjykimin në rastet KO 159/21 dhe KO 160/21, me parashtrues Komuna e Prishtinës, e cila bazuar në paragrafin 4 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] ka kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së akteve të kontestuara të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përkatësisht (i) “Raportin e vlerësimit të ligjshmërisë së aktit Komunal nr. 020-558/17 të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal të 12 korrikut 2021”, në lidhje me “konfirmimin e ligjshmërisë së aktit të Komunës së Prishtinës nr. 5133 të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë të 9 korrikut 2021”; dhe (ii) “Raportit të vlerësimit të ligjshmërisë së aktit Komunal nr. 020-558/10 të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal të 8 korrikut 2021” në lidhje me “konfirmimin e ligjshmërisë së aktit të Komunës së Prishtinës nr. 6077 të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë të 7 korrikut 2021”.
Gjykata, njëzëri, ka vendosur që të: (I) deklarojë kërkesat e pranueshme; dhe të konstatojë që: (II) në rastin KO159/21 (i) “Raporti i vlerësimit të ligjshmërisë së aktit komunal [nr. 020-558/17] i 12 korrikut 2021” i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal në lidhje me (ii) “konfirmimin e ligjshmërisë së aktit të Komunës së Prishtinës [nr. 5133] i 9 korrikut 2021” i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, nuk janë në pajtueshmëri me paragrafin 2 të nenit 12 [Pushteti Lokal], paragrafët 1 dhe 3 të nenit 123 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafët 2, 3 dhe 7 të nenit 124 [Organizimi dhe Funksionimi i Vetëqeverisjes Lokale] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; (III) në rastin KO160/21 (i) “Raporti i vlerësimit të ligjshmërisë së aktit komunal [nr. 020-558/10] i 8 korrikut 2021” i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal në lidhje me (ii) “konfirmimin e ligjshmërisë së aktit të Komunës së Prishtinës [nr. 6077] i 7 korrikut 2021” i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, nuk janë në pajtueshmëri me paragrafin 2 të nenit 12 [Pushteti Lokal], paragrafin 1 dhe 3 të nenit 123 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafin 2, 3 dhe 7 të nenit 124 [Organizimi dhe Funksionimi i Vetëqeverisjes Lokale] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe si të tilla shpallen të pavlefshme.
Aktgjykimi fillimisht sqaron që më 16 qershor 2021, Kuvendi i Komunës së Prishtinës, përmes dy (2) vendimeve të ndara kishte miratuar propozimin e Kryetarit të Komunës për këmbimin e pronës së paluajtshme komunale me pronë të paluajtshme në pronësi të personave privat, me qëllim të realizimit të planit rregullues “Prishtina e re – Lindje”, me destinim për ndërtim të shkollës, kopshtit dhe hapësirave gjelbëruese. Bazuar në nenin 81 (Shqyrtimi i detyrueshëm i ligjshmërisë) të Ligjit nr. 03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale, vendimet ishin dorëzuar në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) për procedurën e kontrollit të ligjshmërisë së tyre. MAPL i kishte përcjellë në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) për vlerësimin e ligjshmërisë së tyre, ndërsa MINT përmes dy akteve të ndara, përkatësisht “konfirmimin e ligjshmërisë së aktit të Komunës së Prishtinës” [nr. 6077] dhe [nr. 5133] të 7 dhe 9 korrikut 2021, respektivisht, kishte njoftuar MAPL-në se aktet e Komunës duhej të pezulloheshin dhe të mos prodhonin pasoja juridike deri sa kjo çështje të trajtohej nga Komisioni Ndërministror për Investime Strategjike i përcaktuar në Ligjin për Investime Strategjike. Për pasojë, MAPL përmes dy akteve, përkatësisht “raporteve për vlerësimin e ligjshmërisë së akteve komunale”, [nr. 020-558/10] dhe [nr. 020-558/17] të 8 dhe 12 korrikut 2021, respektivisht, kishte njoftuar Komunën lidhur me njoftimin e MINT, duke mos bërë vlerësimin e ligjshmërisë së akteve përkatëse siç është specifikisht e kërkuar përmes neneve 81 (Shqyrtimi i detyrueshëm i ligjshmërisë) dhe 82 (Procedura për shqyrtimin e ligjshmërisë) të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, duke pamundësuar gjithashtu edhe vlerësimin financiar të vendimit të Komunës për këmbimin e pronës së paluajtshme nga ana e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), me arsyetimin se mungonte konfirmimi i ligjshmërisë së vendimeve të Komunës nga ana e MAPL-së.
Komuna e Prishtinës i kontestoi aktet e lartcekura para Gjykatës, duke pretenduar që të njëjtat cenojnë kompetencat e Komunës të përcaktuara me nenet 12 [Pushteti Lokal], 123 [Parimet e Përgjithshme] dhe 124 [Organizimi dhe Funksionimi i Vetëqeverisjes Lokale] të Kushtetutës dhe ligjet e aplikueshme të Republikës së Kosovës, përkatësisht nenin 81 (Shqyrtimi i detyrueshëm i ligjshmërisë) të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, për shkak se MAPL, duke mos bërë vlerësimin e ligjshmërisë së vendimeve të Komunës brenda afatit të përcaktuar ligjor dhe duke e njoftuar për pezullimin e zbatimit të tyre, i kishte pamundësuar Komunës së Prishtinës ushtrimin e kompetencave të saj të përcaktuara saktësisht me dispozitat e Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale.
Në adresimin e pretendimeve të Komunës së Prishtinës, Gjykata fillimisht shtjelloi parimet e përgjithshme lidhur me vetëqeverisjen lokale sipas Kushtetutës, Kartës Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale, Opinionet relevante të Komisionit të Venedikut, ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës, si dhe praktikën gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese. Gjykata, duke u bazuar në nenet 12, 123 dhe 124 të Kushtetutës, ndër të tjerash, ritheksoi se: (i) njësi themelore territoriale të vetëqeverisjes lokale në Republikën e Kosovës janë komunat dhe kompetencat e tyre rregullohen me ligj; (ii) komunat kanë kompetenca “vetanake”, “të zgjeruara” dhe “të deleguara”; dhe (iii) rishikimi administrativ i akteve të komunave nga autoritetet qendrore në fushën e kompetencave të tyre, kufizohet në sigurimin e përputhjes me Kushtetutën dhe me ligjin. Për më tepër, bazuar në këto nene kushtetuese, Gjykata theksoi që veprimtaria e organeve të vetëqeverisjes lokale bazohet në Kushtetutë dhe në ligje dhe respekton Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale. Kjo e fundit, ndër të tjerash, dhe për aq sa është e rëndësishme për rrethanat e rastit konkret, përcakton që: (i) autoritetet lokale, brenda kufijve të ligjit, do të kenë diskrecionin e plotë për të ushtruar iniciativën e tyre në lidhje me çdo çështje që nuk përjashtohet nga kompetenca e tyre dhe nuk i është caktuar në kompetencë ndonjë autoriteti tjetër; (ii) kompetencat që u besohen autoriteteve lokale, normalisht duhet të jenë të plota dhe ekskluzive, dhe ato nuk mund të minohen apo të kufizohen nga një autoritet tjetër, qendror apo rajonal, përveç siç përcaktohet me ligj; dhe (iii) çdo kontroll administrativ mbi autoritetet lokale mund të ushtrohet vetëm sipas formave dhe në rastet e parashikuara nga Kushtetuta ose me ligj.
Gjykata gjithashtu ritheksoi se vetëqeverisja lokale është e një rëndësie të tillë në rendin kushtetues, sa që Kushtetuta: (i) ka përcaktuar këto garanci, ndër tjerash, në Dispozitat Themelore të saj; (ii) ka përcaktuar respektimin e Kartës Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale; dhe (iii) me qëllim të sigurimit të mbrojtjes së këtyre garancive, në nenin 113 të saj, u ka dhënë komunave qasje të drejtpërdrejtë në Gjykatën Kushtetuese, në cilësi të palëve të autorizuara, që të kontestojnë kushtetutshmërinë e ligjeve ose të akteve të Qeverisë, të cilat cenojnë përgjegjësitë komunale ose zvogëlojnë të hyrat e komunës, në rast se komuna përkatëse është prekur nga ai ligj ose akt.
Në përputhje me garancitë e lartcekura të Kushtetutës dhe Kartës Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale, dhe referimin e të njëjtave në detyrimin që këto garanci të zbatohen edhe përmes dhe sipas ligjeve të aplikueshme, Gjykata rikujtoi që bazuar në nenin 17 (Kompetencat vetanake) të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, komunat kanë kompetenca “të plota dhe ekskluzive” për sa i përket interesit lokal, duke i respektuar standardet e përcaktuara në legjislacionin e zbatueshëm, ku përfshihet edhe “shfrytëzimi i tokës dhe zhvillimi.” Komuna duke ushtruar këtë përgjegjësi të saj, bazuar edhe në Ligjin Nr. 06/L-092 për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës, kishte vendosur që për arritje të një interesi publik, të këmbente pronën komunale me pronë të paluajtshme të personave privatë. Në këtë kontekst, bazuar në nenin 81 (Shqyrtimi i detyrueshëm i ligjshmërisë) të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, Komuna e Prishtinës i kishte paraqitur për shqyrtim të ligjshmërisë dy (2) vendimet e saj në MAPL. Nenet 81 (Shqyrtimi i detyrueshëm i ligjshmërisë) dhe 82 (Procedura për shqyrtimin e ligjshmërisë) të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale përcaktojnë qartë afatin, obligimin dhe procedurën që duhet ndjekur në kontekst të shqyrtimit të ligjshmërisë, duke e detyruar autoritetin mbikëqyrës, përkatësisht ministrinë përkatëse, që bëjë vlerësimin e ligjshmërisë së aktit, procedurën që duhet ndjekur në rast se vlerësohet që akti është i kundërligjshëm, duke i mundësuar autoritetit mbikëqyrës që të përdorë mjetet juridike në gjykata e rregullta në rast që komuna përkatëse nuk e bën rishqyrtimin e vendimit, dhe gjithashtu saktësisht përcakton që autoriteti mbikëqyrës nuk mund të suspendojë ekzekutimin e vendimeve komunale. Aktgjykimi sqaron që është pikërisht ky rasti përmes akteve të kontestuara të MAPL-së dhe MINT.
Në këtë drejtim, Aktgjykimi thekson se vetëm gjykatat e rregullta e kanë tagrin kushtetues dhe ligjor që të urdhërojnë suspendimin e zbatimit të një vendimi të Kuvendit Komunal në pajtim me legjislacionin e zbatueshëm. Rrjedhimisht, institucionet e nivelit qendror nuk kanë autorizim nga Kushtetuta dhe ligji që të suspendojnë vendimet e Kuvendit Komunal, duke e pamundësuar vazhdimin e procedurave ligjore nga Komuna përkatëse në përputhje me detyrimet e Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale dhe Ligjit për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës.
Për pasojë, në rrethanat e rastit konkret, bazuar edhe në parimet e lartcekura kushtetuese, përkatësisht, nenet 123 dhe 124 të Kushtetutës, sipas së cilave, ndër tjerash, (i) vetëqeverisja lokale është e garantuar me Kushtetutë dhe e rregulluar me ligj; dhe (ii) çdo rishikim administrativ i akteve të komunave nga autoritetet qendrore në fushën e kompetencave të tyre, kufizohet në sigurimin e përputhjes me Kushtetutë dhe ligj, Aktgjykimi konstaton që përmes pezullimit të vendimeve të Komunës së Prishtinës përmes akteve të kontestuara, MAPL dhe MINT, nuk kanë ushtruar kompetencën e kontrollit administrativ në përputhshmëri me dispozitat e Kushtetutës, Kartës Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale dhe ligjit të aplikueshëm.
Superliga rikthehet në aksion me ndeshje interesante
Kurti vendos gurthemelin për ndërtimin e Sallës së Edukatës ...
Ukraina thotë se ka goditur një depo nafte dhe një stacion r...
Grafiti në “Car Lazar”, suspendohen gjashtë policisë për mos...
Aksidenti me fatalitet në Kaçanik, Policia jep detaje – ka r...
Kampusi i Kolegjit të Europës, Rama inspekton punimet