Komuna e Obiliqit ka reaguar duke thënë se ndotja e ajrit dhe e mjedisit është shndërruar në mesin e faktorëve kryesorë të shkurtimit të jetës të banorëve, duke thënë se shumë qytetarë po përballen me probleme shëndetësore.
Me anë të një postimi në Facebook, Komuna ka shkruar se ndotja e ajrit ka dalë jashtë përmasave normale, me ç’rast kanë akuzuar Korporatën Energjetike të Kosovës, që s’kanë ndërmarrë asgjë, shkruan Arbresh.info.
“Që nga data 20.08.2024 deri më datën 15.09.2024, filtrat brenda Kosovës B kanë qenë jashtë funksionit dhe gjendja në Termocentralin ‘Kosova B’ ka pasur tejkalime enorme, për çka ka pasur raportime në media e rrjetet sociale. Nga deklarimet e qytetarëve gjatë këtyre ditëve, ajri në Obiliq ka arritur nivele shumë të larta të ndotjes. Po ashtu, pranë këtij termocentrali ishte krijuar zhurmë e cila është e padurueshme për banorët, kryesisht në orët e mbrëmjes. Gjatë tërë kësaj periudhe kemi reaguar dhe kemi kërkuar nga Korporata Energjetike e Kosovës të ofrojë të dhëna (raportojë) për gjendjen. Kemi kërkuar një raport të detajuar për TC A dhe TC B për datat e lartpërmendura, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Edhe sot kemi pasur një situatë të ngjashme në qytetin e Obiliqit, ku ndotja e ajrit ka qenë jashtë të gjitha përmasave normale”, thuhet në reagim.
Mes të tjerash, Komuna e Obiliqit ka shtuar se në dy vitet e fundit s’është realizuar asnjë projekt i dedikuar për uljen e ndotjes së ajrit.
“Ndotja e mjedisit është kthyer në një ndër faktorët kryesorë për shkurtimin e jetës së banorëve të Obiliqit. Është i madh numri i personave që u drejtohen klinikave për probleme të shumta, të shkaktuara nga tymrat apo gazrat që lëshohen çdo ditë në atmosferë. Një nga sëmundjet kryesore që sjell ndotja është tumori i mushkërive, i cili në shumicën e rasteve është vdekjeprurës. Raportimet ditore gjatë vitit 2023 tregojnë se sëmundjet e traktit respirator kanë arritur në 17,912 raste, ndërsa sëmundjet e qarkullimit të gjakut në 7,355 raste. Në Komunën e Obiliqit, mesatarisht çdo vit kemi 50 raste të reja me sëmundje kancerogjene (dg carcinoma). Ndërsa vetëm gjatë periudhës janar-shtator të vitit 2024 janë realizuar 876 vizita shtëpiake te personat me sëmundje malinje (kancerogjene)”, thuhet tutje në reagim.
“90% e prindërve kërkuan mbylljen e aksesit në TikTok”, Rama...
Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 200 gjoba gjatë 24 orëve të fu...
I dyshuari për sulmin në Gjermani përballet me 5 akuza për v...
“Biletë kthimi e çek me para” – gjashtë avantazhet që ndodhe...
Mund të largohet i lirë nga Barcelona, tre gjigantët evropia...
“Mashtruese”, debat i ashpër mes Xhenetës dhe Sarës