Komuna e Mitrovicës ka dhënë sqarime lidhur me lejen e ndërtimit të objektit 11-katësh, i cili filloi të rrënohej ditë më parë.
Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, ka mbajtur mbledhje me drejtorin e Drejtorisë së Urbanizmit, Sami Zeka dhe atë të Inspeksionit, ku më pas të njëjtit nga zyrtarët përgjegjës të Drejtorisë së Urbanizmit i është ofruar dokumenti origjinal me të cilin pronari i objektit, Fidan Muharremi, kishte aplikuar për leje ndërtimi më 11 shtator të vitit 2015.
Me rastin e shqyrtimit të aplikacionit zyrtarët e Drejtorisë së Urbanizmit kanë vlerësuar se projekti nuk i kishte përmbushur kriteret për lëshimin e lejes së ndërtimit, por kishin kërkuar nga ai që brenda një afati të caktuar të plotësojë dokumentet e nevojshme për t’u pajisur me leje ndërtimi.
Mirëpo, pronari Muharremi më 8 tetor 2015 kishte tërhequr aplikacionin (shihet nënshkrimi i pronarit) me arsyetim se pasi që të plotësojë dokumentacionin e kërkuar, do të aplikonte sërish për leje ndërtimi.
Por më asnjëherë nuk kishte aplikuar për leje ndërtimit, thuhet në njoftimin e Komunës.
Tutje ne njoftim thuhet se përmes kësaj pronari Muharremi po e dezinformon opinionin dhe mediat, duke thënë se Komuna nuk i ka kthyer përgjigje në afatin ligjor, andaj edhe ka vazhduar punimet.
Në takim, po ashtu u konstatua se inspektorët komunalë i kanë lëshuar procesverbale për ndërprerjen e punimeve pa leje dhe i kanë vendosur shiritat përkatës për të mos vazhduar punimet, por që pronari në vazhdimësi i ka larguar shiritat dhe ka vazhduar punimet pa lejen e organit përkatës.
Sipas kësaj, i njëjti kishte bërë vepër penale, për çka inspektorët edhe kanë kërkuar nga Prokuroria Themelore fillimin e proceduarve përkatëse për shkelje ligjore nga ana e pronarit Muharremi.
Fillimisht, inspektorët e ndërtimit më 24 mars 2016, me shkrim ia kishin tërhequr vërejtjen që të mos punojë përderisa të pajiset me leje nga Drejtoria e Urbanizmit, gjë të cilën ai nuk e ka bërë.
Për këtë arsye, më 31 mars 2016 kanë lëshuar aktvendimin për rrënimin e objektit banesor të filluar pa leje ndërtimi.
Sipas njoftimit të Komunës, inspektorët e ndërtimit prapë më 20 mars dhe 31 tetor 2017 kishin vendosur shirita për ndërprerjen e punimeve në objektin banesor, por pronari i kishte injoruar.
Kjo sipas Komunës i ka detyruar inspektorët komunalë që më 13 nëntor 2017, në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë të ngritin kallëzim penal kundër pronarit Fidan Muharremi.
Inspektorët komunalë pronarit Muharremi në objektin e filluar pa leje ndërtimi ia kanë vendosur shiritat, në prani të Policisë Kosovës dhe i kanë lëshuar procesverbalin përkatës për të mos punuar edhe në katër raste të tjera: më 11.01.2018, më 17.01.2018, më 13.01.2018 dhe më 22.04.2018.
Por meqë pronari Muharremi nuk i ka përfillur të gjitha këto kërkesa zyrtare për ndërprerjen e punimeve pa leje, Komuna më 31 prill 2018 ka marrë vendimin me dokumentin përkatës për rrënimin e objektit.
Rrënimi ka filluar të shtunën, më 2 qershor 2018.
Ismet Bahtijarit i vazhdohet paraburgimi nga Specialja
Dronë të dyshimtë mbi bazat ushtarake amerikane, Britania di...
Vesa Luma shënon 20-vjetorin e karrierës së saj me koncert m...
Gjermani, AfD rekomandon daljen nga BE në programin e saj el...
Gjatë fundjavës priten reshje shiu dhe bore në Kosovë
Alisson zbulon klubin ku dëshiron të transferohet pasi të la...