Komuna e Ferizajt shpenzoi 43 mijë euro në dreka

20:02 | 30 Qershor 2017
Arbresh.info

Mbi 43 mijë euro, komuna e Ferizajt ka shpenzuar vetëm për vitin 2016 në dreka zyrtare.

Shifër kjo e cila është 97% më e lartë se në vitin paraprak.

Madje sipas Auditorit disa nga faturat nuk kishin specifikuar qëllimin e drekës, dhe u takonin viteve 2012, 2014, dhe 2015.

“Sipas analizës kemi vërejtur se shpenzimet për dreka zyrtare për vitin 2016 janë 43,060€ apo 97% më shumë se në vitin paraprak. Gjatë testimit të tri (3) pagesave gjithsej me vlerë 6,150€, ne kemi vërejtur se këto fatura i takonin viteve 2012, 2014 dhe 2015. Njëra nga faturat në vlerë 2,491€ në emër të shpenzimeve të reprezentacionit për Drejtorinë për kulturë, nuk kishte të specifikuar qëllimin e drekës. Nuk është e qartë pse këto fatura kanë qëndruar të pa paguara për kaq shumë kohë”, ka gjetur Auditori.

E gjetur tjetër është edhe për shpenzimet e karburantit për veturat e komunës.

Më 22 shkurt të vitit 2016 ishin paguar mbi 6 mijë euro për derivate, kurse pagesa kishte përfshirë shtatë faturat e vitit 2015.

“Më datën 22.02.2016 ishin paguar 6,464€ shpenzimet e karburantit për vetura të komunës. Kjo pagesë ka përfshirë shtatë (7) faturat e vitit 2015. Me rastin e rishikimit të faturës së datës 31.08.2015 kemi vërejtur se brigada e zjarrfikësve kishte harxhuar 1,565 litra për një muaj apo 52 litra në ditë. Sipas një parallogaritje kemi vërejtur se vetëm automjeti i ashtuquajtur Volvo është furnizuar për këtë muaj 450 litra. Ne nuk kemi gjetur ndonjë përshkrim për aktivitetin e këtij automjeti. Mungesa e raporteve për aktivitetet e kryera për çka ishin shpenzuar derivatet e naftës, mund te ketë si rrezik që shpenzimet e ndodhura të mos justifikohet me shërbimet e ofruara”, thuhet në raportin e Auditorit.

Si prioritete të larta nga Auditori janë specifikuar edhe mospërputhjet e raporteve për mirëmbajtjen e rrugëve, shpenzimet për shërbimet e veçanta, mos-arkëtimi i qirasë nga prona publike, mungesa e plotësimit të formularëve për ndërtime pa leje etj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme