Google ADS

Komuna dezinsekton insektet bashkë me qytetarët

22:59 | 19 Qershor 2017
Arbresh.info

Qytetarë të shumtë, përfshirë edhe fëmijë, nuk i kanë “shpëtuar” spërkatjes që ka ndodhur të hënën rreth orës 20:30 në sheshet kryesore të Prishtinës. Qytetarët thonë se komuna do të duhej ta bënte më vonë spërkatjen. Komunarët për rtklive.com thonë se kanë paralajmëruar spërkatjen.

Kishte dalë për të shëtitur fëmijën e tij 2 vjeçar në sheshin e Prishtinës. Por, Ardian Morina, me vendbanim në Prishtinë, është detyruar të largohet me shpejtësi nga sheshi. Kjo pasi pikërisht sonte (19 qershor 2017) dy vetura që bëjnë dezinsektimin hapsinor në Komunën e Prishtinës, rreth orës 20:30 minunta kanë hyrë në sheshin “Ibrahim Rugova”, për të vazhduar drejt sheshit “Zahir Pajaziti” që të bëjnë dezinsektimin hapsinor.

“Nuk është në rregull që kjo të ndodh pikërisht në këtë kohë, kur njerëzit dalin sidomos gjatë muajit të Ramazanit për të pirë ndonjë kafe dhe për t’u çlodhur. Kjo procedurë mund të bëhej më vonë, pas orës 00, kur sheshi nuk ka njerëz”, thotë ky qytetar. Ai ka thënë se e gjithë kjo është e dëmshme, sidomos për fëmijët.

Në komunën e Prishtinës, zëdhënësi Adonis Tahiri, ka thënë se komuna ka paralajmëruar spërkatjen, raporton rtklive.com.

Ai për këtë ka kërkuar që redaksia t’i referohet komunikatës për shtyp të lëshuar nga komuna e Prishtinës, ku pikërisht, sipas tij, jepet informacioni në lidhje me këto spërkatje.

Në komunikatën e komunës së Prishtinës të lëshuar në dotën e sotme, njoftohet se do të filloj faza e dytë e dezinsektimit hapësinor.

“Sot, më 19 qershor, fillon faza e dytë e dezinsektimit hapësinor në Komunën e Prishtinës. Kjo ditë është zgjedhur pas të gjitha përgatitjeve teknike dhe operative nga ana e Komunës së Prishtinës dhe kompanisë, dhe pasi që parashikimet klimatike sigurojnë një javë me mot stabil dhe pa reshje”, thuhet në njoftimin e komunës.

Dezinsektimi, njofton komuna e Prishtinës, do të bëhet çdo ditë duke filluar nga ora 19:30 deri në orën 24:00.

Në njoftimi jepen të dhëna edhe për secilën lagje veç e veç dhe për ditën e spërkatjes.

Më 19.06.2017, sipas komunikatës do të bëhen spërkatje në këto lagje: Aktash, Lagjja e Muhaxherëve, Parku i Qytetit, Vellushë (Blloqet – Shtëpia e Pleqve), Qendra e Qytetit dhe Qyteza Pejton.

Ndërkohë, më 20.06.2017 sipas njoftimit të komunës do të spërkaten Arbëria, Tophanja, Kodra e Trimave, Vreshtat dhe Kolovica.

Spërkatja do të vazhdoj deri më 24.06.2014, nëpër lagje dhe fshatra tjera të Prishtinës.

“Gjatë kohës së dezinsektimit, qytetarët duhet t’i mbajnë dritaret e mbyllura, që mos të futen insektet brenda, dhe të kufizojnë daljet nëpër hapësirat ku është duke u kryer dezinsektimi së paku për një orë. Gjithashtu, apelohet te shoqatat e bletarëve për kujdes të shtuar gjatë kësaj periudhe”, thuhet në njoftimin e komunës.

Zyrtarët komunalë thonë se monitorimi i këtij procesi nga ana e Komunës së Prishtinës do të jetë i vazhdueshëm, dhe në bashkëpunim me qytetarët do ta japin maksimumin për një dezinsektim sa më efektiv, raporton rtklive.com.

Por, për Ardian Morinën, komuna edhe nëse ka paralajmëruar një aktivitet, ai jo gjithmonë mund të mbërrij tek qytetarët. “Ju po shihni që sheshi është plot njerëz dhe fëmijë. Komuna këtë rast do të duhej të kujdesej që kjo procedurë të mos kryhej në këtë kohë”, shprehet ai.

Në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës, zëdhënësi Lamir Thaçi ka thënë se për rreziqet eventuale të spërkatjes dhe ndikimin potencial tek qytetarët që kanë qenë prezent në shesh gjatë spërkatjes, mund të flasin vetëm ditën e nesërme.

“Nesër do të konsultohemi me ekspertë të lëmive të ngushta dhe mund t’u japim një përgjigje”, ka thënë përmes telefonit zëdhënsi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës Lamir Thaçi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme